IMG_5263

Hekuran Cumani, një 23-vjeçar shqiptar nga Fabriano, u gjet i vdekur në parkingun e Universitetit të Perugias të shtunën, më 18 tetor.

Sipas mediave italiane, ai u qëllua me thikë në fyt gjatë një grindjeje që ndodhi natën e së premtes.

Policia dhe hetuesit e Perugias kanë identifikuar tashmë personin që kreu këtë akt të rëndë. Bëhet fjalë për një të ri me origjinë nga Afrika e Veriut, i cili është shpallur në kërkim nga autoritetet italiane.

Gazeta “La Repubblica” shkruan se ai, së bashku me grupin e tij të miqve, kishte shkaktuar sherrin fillimisht brenda dhe më pas jashtë lokalit “100Dieci”, ku sapo kishte përfunduar një mbrëmje universitare e së premtes.

Dy thika
Hekuran Cumani, së bashku me vëllain e tij Samuel dhe disa miq të tjerë, kishte ardhur nga Fabriano, në rajonin e Markeve, siç ndodhte shpesh, për të kaluar mbrëmjen në Perugiа. Dy grupet, rreth njëzet veta gjithsej, janë përballur fillimisht brenda lokalit, për arsye banale, dhe më pas sherri është përshkallëzuar jashtë barit, rreth orës 4 të mëngjesit, kur festa kishte përfunduar.

Kushëriri i tij është shprehur për mediat italiane se Hekurani ishte një “djalë i qetë me zemër të artë, i cili nuk kërkonte telashe”. Sipas tij, 23-vjeçari nuk kishte një punë të qëndrueshme, por punonte gjatë sezonit turistik të verës në Senigallia, në një restorant familjar. Viktima jetonte në Fabriano me familjen e tij dhe punonte atje gjatë dimrit.