Është zbardhur identiteti i të riut shqiptar të vrarë gjatë një tentative grabitjeje në Centola të Italisë. Viktima është 26-vjeçari Rivaldo Rusi, i cili së bashku me dy bashkëpunëtorë të tjerë shqiptarë kishte hyrë për të vjedhur në banesën e një biznesmeni italian, 60-vjeçarit Aurelio Valiante. Ky i fundit reagoi me armë zjarri, duke e qëlluar për vdekje Rusin dhe duke plagosur rëndë një tjetër bashkëpunëtor.
Trupi i 26-vjeçarit u gjet i groposur disa kilometra larg banesës së Valiante-s, i cili pas ngjarjes e kishte transportuar kufomën në bagazhin e makinës dhe e kishte varrosur në një zonë të izoluar në fshatin San Severino di Centola. Zbulimi u bë pasi vetë biznesmeni tregoi vendndodhjen në prani të autoriteteve, ndërsa rreth 50 shqiptarë, përfshirë familjarë të viktimës dhe të plagosurit, ishin mbledhur pranë banesës së tij, duke kërkuar drejtësi dhe duke ngritur shqetësime për hakmarrje.
Të afërmet e viktimës, gruaja dhe vjehrra, ishin të pranishme në vendin ku u gjet trupi. “Ai bëri një gabim, por nuk duhej të vdiste kështu. E varrosën si një kafshë. Na la një fëmijë pa baba”, thanë ato me lot në sy.
Ndërkohë, shqiptari tjetër i plagosur rëndë ndodhet në spitalin “Cardarelli” në Napoli nën mbikëqyrje policore. Ai është me precedentë penalë dhe i shpallur në kërkim për krime të mëparshme në Toskanë. Pasi gjendja e tij shëndetësore të stabilizohet, pritet të merret në pyetje për të sqaruar rrethanat e grabitjes dhe shkëmbimit të zjarrit.
Hetuesit vijojnë hetimet për të përcaktuar saktësisht nëse Valiante ka qëlluar në kushtet e vetëmbrojtjes, gjatë një përleshjeje, apo pasi grabitësit kishin filluar të largoheshin. Biznesmeni është vënë nën hetim për akuzat e vrasjes, plagosjes së rëndë dhe fshehjes së një kufome.
Autopsia e trupit të 26-vjeçarit pritet të japë më shumë të dhëna mbi dinamikën e ngjarjes dhe mbi pozicionin e viktimës në momentin e të shtënave. Nëse vërtetohet se grabitësit po iknin kur janë qëlluar, situata ligjore për Valiante-n mund të rëndohet ndjeshëm.



