Ish-kryeministri Sali Berisha ka deklaruar se rikthimi i tij në politikë nuk është motivuar nga ambicie personale apo interesa për pushtet, por nga nevoja për të mbrojtur ekzistencën e opozitës në Shqipëri. Në një deklaratë të bërë gjatë fushatës për zgjedhjet e 11 majit, Berisha u shpreh se vendimi për t’u rikthyer ishte i detyruar nga zhvillimet politike që, sipas tij, kërcënonin vetë pluralizmin.
“Ju siguroj se në këtë rikthim timin kam pasur zero ambicie personale, zero ambicie për luks apo para. Në këtë moshë, interesat e mia janë krejt të tjera,” deklaroi ai. “Por u ktheva sepse pashë se kërkonin një Shqipëri pa opozitë, një vend ku listat e deputetëve i bënin të tjerët dhe ku opozita kontrollohej nga Edi Rama.”
Berisha akuzoi kryeministrin për përpjekje për të instaluar një opozitë fasadë, duke e krahasuar Lulzim Bashën me një vegël të përdorur nga Rama për të simuluar pluralizëm politik. “E pashë se kërkonin një opozitë të kontrolluar siç e bën tani me Bravën, e merr pas vetes,” tha ai.
Ish-kryeministri theksoi se qëllimi i tij është ndërtimi i një Shqipërie të “madhështore” dhe kthimi i burimeve publike në funksion të qytetarëve. “Nuk ka motiv më të madh sot se të luftosh për një Shqipëri më të mirë. Nuk ka motiv më të madh se t’u kthesh shqiptarëve paratë e tyre në paga dhe pensione.”
Deklarata e Berishës vjen në një moment tensioni të lartë politik, ku çështjet e drejtësisë, legjitimitetit të opozitës dhe kontrollit mbi institucionet janë në qendër të fushatës zgjedhore. /gazetajone



