Partia Demokratike ka ngritur dyshime për pasurinë e ish-ministres së Kulturës dhe njëkohësisht ministres së Arsimit, Mirela Kumbaro, duke kërkuar nga institucionet e drejtësisë që t’i verifikohen dhe kontrollohen pasuritë.
Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja e PD-së për antikorrupsionin, Genta Vangjeli, njoftoi se nga verifikimi i deklaratave të pasurisë rezulton se Kumbaro ka në pronësi, së bashku me familjen e saj, 7 apartamente dhe 2 garazhe.
Vangjeli shprehet se në deklarimet e pasurisë figurojnë disa apartamente me sipërfaqe nga 55 deri në 128 metra katrorë, ndërsa një apartament prej 92 metrash katrorë është deklaruar në vitin 2024 me vlerë 200 mijë euro, i cili, sipas saj, rezulton ende i paregjistruar.
Ndërkohë, zëdhënësja e PD-së për antikorrupsionin thekson se gjatë kohës kur Kumbaro ka ushtruar detyrën e saj si ministre e Kulturës, bashkëshorti i saj ka marrë pagesa honorare në vitin 2015 nga fondacioni AADF, i cili, sipas PD-së, bashkëpunon në mënyrë të vazhdueshme me ministrinë në fjalë.
Deklarata e Plotë:
Nga verifikimi i pasurisë së deklaruar, ish-ministrja Kumbaro rezulton familjarisht me 7 apartamente; konkretisht: Ap. 119.16 m², bashkëpronare me bashkëshortin, burimi: të ardhura. Ap. 128 m² në Tiranë, bashkëpronare me bashkëshortin, burimi: të ardhura. Ap. 92 m², vlera 200.000 EURO, deklaruar në v. 2024, pronar bashkëshorti, burimi: të ardhura, i parregjistruar, nuk është aplikuar për regjistrim. Ap. 55 m², vlera 1.385.560 LEK, burimi: DHURIM, pronar bashkëshorti.
Ap. 69.1 m², vlera 72.000 EURO, burimi: kursime, pronar 50%. Ap. 95 m², burimi: të ardhura, bashkëpronare me bashkëshortin, dhuruar vajzës në shtator 2023. Ap. 89.30 m², burimi: të ardhura, bashkëpronare me bashkëshortin, dhuruar djalit po në shtator 2023. Ap. 74.50 m², burimi: të ardhura, vlera 60.598 EUR, SHITUR në maj 2022, vlera 124.998 EUR. 1 garazh i deklaruar në v. 2021, me sip. 18 m², vlera 12.800 EURO, burimi: të ardhura, pronare 50%.
1 garazh 18 m², deklaruar nga bashkëshorti në v. 2025, vlera 2.000 EURO, burimi: kursime, pronar 50%. Nga këqyrja e mënyrës së deklarimit vërehen: Jopërputhshmëri dhe mungesë faqesh sipas numrit rendor në deklarimet v. 2013; 2015; 2017. Detaje të përsëritura, por çmime të ndryshme, si p.sh. garazhi, të cilin Kumbaro e ka deklaruar të blerë në v. 2021, garazhi 18 m², çmimi 12.800 euro; ndërsa bashkëshorti deklaron në v. 2025 garazh me të njëjtën sip. 18 m², çmimi 2.000 euro.
Gjatë kohës që Kumbaro ka mbajtur detyrën si Ministre e Kulturës, bashkëshorti në v. 2015 deklaron se ka marrë pagesa në formë honorarësh edhe nga AADF, një fondacion i cili ka një lidhje shumë të ngushtë dhe bashkëpunim të vazhdueshëm me Ministrinë e Kulturës. Në këto kushte, PD kërkon që ILDKPKI dhe SPAK të verifikojnë në mënyrë të plotë pasurinë e familjes, burimin e të ardhurave, dhurimet e apartamenteve, transaksionet e shitblerjes dhe çdo mospërputhje në deklarimet periodike. Transparenca për pasurinë e zyrtarëve nuk është zgjedhje politike, por detyrim ligjor dhe moral ndaj qytetarëve.



