Elbasani, si e gjithë Shqipëria e vitit 1997, ishte në kaos, në çdo lagje, banorët kishin ngritur postblloqe, të armatosur deri në dhëmbë.
Ata e konsideronin këtë një përpjekje për të mbrojtur komunitetin e tyre nga bandat që lëviznin lirshëm në qytet. Shteti kishte humbur kontrollin.
Një nga këto postblloqe ishte ngritur në lagjen “Vullnetari”, pas ish-kinemasë me të njëjtin emër, pranë shkollës “Abdyl Myzyri”. Ishte një pikë kontrolli e improvizuar, por e domosdoshme. Në atë kohë, ky ishte mekanizmi i vetëm për të parandaluar hyrjen e elementëve të rrezikshëm.
Mbrëmjen e 21 majit, rreth orës 23:00, në postbllok shfaqen Dritan Kateshi, Taulant Balliu dhe Ndriçim Sadushi. Pasi makina u ndalua, ndodhi një përplasje verbale. Rojet e postbllokut refuzuan t’i linin të kalonin dhe të futeshin në lagje këta persona.
Ishte një vendim i prerë: lagjja nuk pranonte të huaj, aq më tepër në mes të natës. Pas disa minutash tensioni, makina u kthye mbrapsht. Por situata nuk përfundoi aty.
Vetëm pak metra larg, grupi i Tan Kateshit hapi zjarr në drejtim të postbllokut. Një breshëri kallashnikovi u shkreh drejt të rinjve që ruanin lagjen. Breshëria e plumbave i mori jetën Erion Derrajt dhe Gëzim Myftarit, të dy jo më shumë se 23 vjeç.
“Krimi i organizuar do ta gjente rrugëdaljen e tij, do të vazhdonte të vepronte. Kështu që u riformua në një tjetër dimension dhe, nga banda të armatosura, u kthye në grupe kriminale që filluan të zhvillonin aktivitetin duke pastruar produktet kriminale në veprimtari të ligjshme, çka mori në fakt edhe një tjetër formë organizimi”, u shpreh Saida Dollani, kryetare e Apelit të Gjykatës së Posaçme.
Lajmi u përhap shpejt. Brenda pak minutash, të gjithë djemtë e lagjes “Banesat” dolën në rrugë të armatosur. Ishte një vendim i menjëhershëm – nuk do ta linin këtë ngjarje të kalonte pa përgjigje. Ata u nisën në ndjekje të makinës që kishte qëlluar, duke shënuar fillimin e një përplasjeje që do të sillte formimin e të ashtuquajturës “Banda e Kateshit”.
Djemtë e lagjes “Vullnetari”, e njohur si “Banesat”, morën informacion për vendndodhjen e Tan Kateshit dhe shokëve të tij, të cilët ishin strehuar në banesën e këtij të fundit. Grupi i të rinjve të armatosur u drejtua për te pallati ku jetonte Tan Kateshi. Ndërtesa ndodhej pranë Pyjores, vetëm 100 metra larg komisariatit të policisë.
“Fillimisht, krimi është i thjeshtë, në atë që në zhargon njihet si krim rruge. Nuk dallohet për një formë të veçantë të bashkëpunimit; është një bashkëpunim i thjeshtë që zakonisht lidhet aty për aty”, u shpreh Kreshnik Myftari, pedagog i Drejtësisë.
Lidhjet e ‘Kateshit’ me Altin Dardhën, pas masakrave në Elbasan u fsheh në bazat e ‘Qorrit’
Tan Kateshi dhe banda e tij u larguan nga Elbasani. Qyteti i tyre nuk ishte më i sigurt për ta.
Për disa javë u fshehën në Berat. Atje thuhet se kanë qenë në mbrojtjen e Altin Dardhës, një nga personazhet më të frikshëm të vendit në atë kohë.
“Historia e Elbasanit është një histori krimi që lidhet me shumë qytete të tjera. Personazhe problematik, me begraund kriminal, kanë qenë të lidhur pothuajse me çdo bandë në Shqipëri”, u shpreh Kreshnik Myftari, pedagog i drejtësisë.
Lufta mes “Bandës së Kateshit” dhe djemve të lagjes “Banesa” ishte në fillim. Hakmarrja nuk ishte shuar ende.
Një pasdite, tre persona të lidhur me Kateshin, Alfir Sadushi, Arben Shkodrani dhe Kastriot Dervishi, u rikthyen në lagjen “Banesa”. Ata shkuan aty me pretekstin se donin të vizitonin një mik për të parë pëllumba, një pasion që ndanin mes tyre. Por në atë kohë, çdo lëvizje shihej me dyshim. Kthimi i tyre në atë lagje u perceptua si një provokim apo sfidë.
“Ishte mentaliteti kohës ku duke u marrë ndaj padrejtësisë, tregonte edhe një lloj rrezikshmërie edhe për personin pastaj që mos bëhej targëtim për grupe të tjera kriminale, mos kishte probleme me grupe të tjera, plus edhe opinioni publik”, u shpreh Kreshnik Myftari, pedagog i drejtësisë.
Sapo makina e tyre u shfaq, djemtë e “Banesave” reaguan pa hezitim. Një breshëri plumbash goditi automjetin. Sadushi dhe Shkodrani u vranë në vend, ndërsa Dervishi mbeti i plagosur rëndë.
Ishte një akt i menjëhershëm hakmarrjeje, një mesazh i qartë: lagjja “Banesa” kishte tjetër zot. Lajmi i asaj ngjarjeje u përhap shpejt në Elbasan, duke ndezur edhe më shumë tensionet. Konflikti sapo kishte marrë një kthesë akoma më të ashpër…
Shkuan t’i vinin gjobë, por… si përfunduan në viktima anëtarët e bandës ‘Kateshi’
Pas këtij veprimi, banda i lë afat 24 orë familjes Kuçi për dorëzimin e parave, por sërish, lekët nuk u dorëzuan.
Më 14 gusht, rreth orës 17:00, anëtarët e bandës organizohen në banesën e Ndriçim Sadushit, që ishte edhe baza e grupit.
Të armatosur me automatikë, granata dhe kundërtank, ata u nisën me disa automjete në drejtim të vilës së familjes Kuçi, e cila ndodhet në rrethrrotullimin e Luleve, në fillim të rrugës që të çon për në Fushë Mbret. Sapo mbërritën, pasi rrethuan banesën e Ramadan Kuçit, nisën sulmin me breshëri automatike, granata dhe kundërtank.
Nga këqyrja e vendit të ngjarjes, më datë 15/08/1997, rezulton se janë përdorur shumë lloje armësh në drejtim të banesës së familjes Kuçi dhe nga drejtime të ndryshme, si dhe kanë marrë pjesë shumë persona në afërsi të kësaj banese. Kjo provohet edhe nga makinat e të pandehurve të lëna në vendngjarje.
“Një pjesë shumë e madhe e njerëzve nuk kanë denoncuar, kanë pasur frikë. Ka pasur denoncim vetëm nga një familje që u sulmua nga banda e Kateshit, por ka shumë biznesmenë që nuk kanë denoncuar”, u shpreh avokati Alban Qafa.
“E kujtoj si një ngjarje ku disa persona të së njëjtës familje u organizuan për të mbrojtur gjithë familjen, për të mbrojtur pasurinë, për të mbrojtur dinjitetin e tyre. Për shkak se këta ishin të sulmuar, padiskutim që ligji i përjashton nga përgjegjësia penale”, u shpreh pedagogu i drejtësisë, Kreshnik Myftari.
Banda nuk e dinte se përballë kishte një ushtarak të trajnuar, i cili organizoi mbrojtjen nga brenda shtëpisë. Kjo ngjarje është tipike e një skenari filmash hollivudian. I fshehur pas dritares së banesës së tij, ky person eliminoi 5 anëtarë të bandës famëkeqe, ndërsa tre të tjerë mbetën të plagosur.
Viktima të asaj ngjarjeje mbetën: Arben Pepalloshi, Arben Jabi, Neritan Haxhiasllani, Dritan Sadushi dhe Besim Erosi – të gjithë anëtarë të bandës së Kateshit. Gjithashtu, në këtë përballje u plagosën Taulant Balliu, Gjergj Dedja dhe vetë Dritan Kateshi.



