-1000-0-images-6b09bd47a59d2

Drejtori i përgjithshëm dhe punonjësit operacionalë të Agjencisë së Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale do të përfitojnë mbrojtje të posaçme në rast se kërcënohen për shkak të detyrës.

Këshilli i Ministrave miratoi këtë të premte vendimin që përcakton kushtet dhe procedurat për marrjen e punonjësve në mbrojtje, duke parashikuar jo vetëm garantimin e sigurisë së tyre fizike, por edhe mbrojtjen e familjarëve dhe të pronave.

Sipas vendimit, mbrojtja e veçantë do të ofrohet në rastet kur punonjësit kërcënohen nga veprime të paligjshme të personave të tretë gjatë ushtrimit të funksionit ose për shkak të tij.

Për të përfituar nga këto masa duhet të ekzistojnë rrethana serioze që rrezikojnë jetën, familjen ose pronën e punonjësit, si dhe të provohet lidhja ndërmjet kërcënimit dhe ushtrimit të ligjshëm të detyrës.

Mbrojtja mund të përfshijë ruajtjen dhe shoqërimin fizik të punonjësit të kërcënuar dhe të familjarëve të tij, si dhe ruajtjen e pronës.

Për shqyrtimin e rasteve, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Agjencisë do të ngrihet Komisioni për Vlerësimin e Kërcënimeve, në përbërje të të cilit do të jenë drejtuesit e strukturave të hetimit, analizës dhe sigurisë, inspektimit dhe ankesave, si dhe drejtues të degëve territoriale.

Kërkesa për mbrojtje mund të paraqitet nga vetë punonjësi i kërcënuar, strukturat e Agjencisë apo çdo institucion tjetër publik që merr dijeni për ekzistencën e një rreziku serioz.

Komisioni do të ketë në dispozicion 10 ditë për të shqyrtuar kërkesën dhe për të përcaktuar masat konkrete të mbrojtjes. Vendimi përfundimtar miratohet nga drejtori i përgjithshëm i Agjencisë dhe përcakton kohëzgjatjen e mbrojtjes, mënyrën e zbatimit dhe shpenzimet përkatëse.

Megjithatë, në rastet kur kërcënimi është serioz dhe i menjëhershëm, drejtori i përgjithshëm mund të urdhërojë marrjen e masave të sigurisë pa pritur vendimin e Komisionit.

Vendimi i qeverisë parashikon gjithashtu një procedurë të posaçme në rast se objekt i kërcënimeve bëhet vetë drejtori i përgjithshëm i Agjencisë. Në këtë rast, kërkesa për mbrojtje i drejtohet ministrit të Drejtësisë, i cili urdhëron marrjen e masave të nevojshme.

Për zbatimin e vendimit ngarkohen Ministria e Drejtësisë dhe Agjencia e Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale. Masat e reja do të hyjnë në fuqi pas botimit të vendimit në Fletoren Zyrtare.