Policia e Fierit ka zbardhur ngjarjen e ndodhur pasditen e së martës, më 9 prill, pranë mbikalimit të fshatit Dërmenas, ku mbetën të dëmtuar dy persona. Në lidhje me këtë ngjarje, është arrestuar 66-vjeçari Ali Çimili, ndërsa djali i tij, Afrim Çimili, 23 vjeç, është shpallur në kërkim.
Sipas të dhënave të policisë, ngjarja është pasojë e një konflikti të mëparshëm mes të rinjve, Afrim Çimili dhe Hysen Mërnica, 26 vjeç. Në vijim të përplasjes, babë e bir dyshohet se qëlluan me armë zjarri në drejtim të Hysenit dhe nënës së tij, Suzana Mërnica, 50 vjeçe, të cilët lëviznin me një motomjet. Fillimisht u dyshua se Suzana Mërnica ishte plagosur nga të shtënat, por ekspertiza mjeko-ligjore ka konfirmuar se të dy janë dëmtuar nga përplasja e motomjetit me automjetin që drejtonte Afrim Çimili.
Pas të shtënave, 23-vjeçari ka goditur me makinë motomjetin ku ndodheshin nënë e bir, duke i lënë të dëmtuar. Ata ndodhen aktualisht në spital, nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.
Ngjarja ndodhi rreth orës 17:00, ndërsa autorët u larguan nga vendi i ngjarjes menjëherë pas incidentit. Policia ka ndërhyrë me shpejtësi dhe ka arrestuar Ali Çimilin, ndërsa po vijon kërkimet për kapjen e të birit. Në vendin e ngjarjes janë sekuestruar gëzhoja, njëri prej automjeteve të përdorura dhe tre celularë që do t’i shërbejnë hetimit.
Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe përgjegjësive ligjore janë në vijim./gazetajonê



