Wall Street i ka vënë Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, nofkën ‘Taco’, një nofkë që atij nuk i pëlqen aspak.
Sipas mediave të huaja, kur një gazetare i drejtoi një pyetje në lidhje me këtë nofkë gjatë konferencës tradicionale në Zyrën Ovale, Trump humbi qetësinë duke thënë: “Mos e thuaj më atë që the, është një pyetje e shëmtuar. Për mua është më e keqja”.
Nofka që qarkullon mes operatorëve të tregut synon të përshkruajë sjelljen e Presidentit që kërcënon me tarifa doganore ndaj vendeve të tjera, por më pas të tërhiqet.
Gjatë konferencës, Trump mohoi që ndryshimet e vazhdueshme të qëndrimit ndaj tarifave të përbëjnë një tërheqje, duke shpjeguar se zakonisht kritikohet në të kundërtën, se është “shumë i ashpër” në fushën tregtare, e jo frikacak sipas tij.
“Quhet negocim: vendos një numër, një numër qesharak, dhe pastaj vazhdon e negocion pak nga pak”, tha Trump.
Termi “tregti me taco” u përdor për herë të parë nga Financial Times dhe për Wall Street përshkruan mjaft mirë kaosin tregtar ku administrata Trump ka futur Shtetet e Bashkuara dhe vendet me të cilat po negocion.
Në javën pas të ashtuquajturës ‘Ditë, në fillim të prillit, kur Trump njoftoi tarifa të gjera, ai menjëherë deklaroi se ato do të uleshin në 10%. Edhe në përplasjen tregtare me Kinën ndodhi e njëjta gjë: fillimisht, pas një përshkallëzimi të masave, ai njoftoi super tarifa deri në 145% për importet kineze, për t’i ulur më pas në 10% për shumë produkte.
Dhe në fund, javën e kaluar, erdhi kërcënimi për tarifa 50 % ndaj produkteve të Bashkimit Europian, ndjekur nga shtyrja e çdo vendimi për në muajin korrik.
Por Trump tha se strategjia e tij ka çuar në investime të mëdha në Shtetet e Bashkuara, megjithëse numri që ai përmend duket artificialisht i lartë dhe i pavërtetuar
“Mund ta quani “chicken out”, por ne kemi 14 trilionë dollarë angazhime për investime, kur Biden nuk kishte praktikisht asgjë. Me Bidenin, ky vend po vdiste. E dini, ne kemi vendin me më ndikim në botë. Kur shkova në Arabinë Saudite edhe mbreti më tha…”.
Sakaq i përsëriti gazetares: “Por mos e thuaj kurrë atë që the. Një pyetje kaq keqdashëse.”



