Detaje të reja janë zbuluar në lidhje me vrasjen e 58-vjeçarit shqiptar, Fatos Cenajt në Itali. Vetëm pak ditë më parë, hetimet u fokusuan në pistën e hakmarrjes. Por së fundmi, hetimet kanë marrë një tjetër kthesë, duke rrëzuar pistën e hakmarrjes për e cila dyshohej se lidhej me punën e tij si gardian burgu në Shqipëri.
Autoritetet italiane kanë vënë nën hetim një 40-vjeçar, fqinj i viktimës, për vrasjen me dashje të Fatos Cenajt, një pensionist shqiptar që jetonte në Fontaniva, në provincën e Padovës. Dyshohet se të dy ata kishin pasur debate të shpeshta për çështje pronësie dhe kamera sigurie.
Sipas hetimeve, i dyshuari e planifikoi të gjithë planin deri në detajet e fundit, që nga mjeti i përdorur për të arritur në vendin e vrasjes, një biçikletë për male, deri te veshja e tij. Ai e kishte pritur atë përgjatë rrugës së zakonshme të Cenajt për në fermën ku ai punonte, për të qëlluar një plumb që e goditi në kokë, ndërsa më pas pastroi vendin e ngjarjes, duke asgjësuar gëzhojat dhe iku.
58-vjeçari shqiptar, Fatos Cenja, i cili jetonte dhe punonte në Fontaniva të Italisë, u gjet i plagosur rëndë me armë zjarri më 8 qershor, ndërsa po shkonte me biçikletë drejt fermës ku punonte çdo ditë. Pas disa ditësh ai ndërroi jetë si pasojë e një plumbi në kokë./gazetajone



