Një ngjarje e rëndë ka tronditur mbrëmjen e sotme qytetin e Shkodrës, ku u ekzekutua me armë zjarri 34-vjeçari Kristian Kola.
Policia njofton se ngjarja ndodhi rreth orës 22:30, në lagjen “Vasil Shanto”. Viktima ndodhej në ambientet e jashtme të një lokali kur dy persona të paidentifikuar, që lëviznin me motor, iu afruan dhe e qëlluan disa herë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Autorët u larguan me shpejtësi, duke u zhdukur pa lënë gjurmë.
Forcat e rendit mbërritën menjëherë në vendngjarje, ku ngritën pika kontrolli në daljet e qytetit dhe po kryejnë kontrolle të imtësishme në zona të ndryshme për të bërë të mundur kapjen e autorëve.
Policia bën të ditur se është ngritur një grup i posaçëm hetimor, që nën drejtimin e Prokurorisë po punon intensivisht për sqarimin e plotë të rrethanave, dokumentimin ligjor të ngjarjes dhe identifikimin e ekzekutorëve.
Ngjarja ka sjellë pasiguri dhe alarm tek banorët e zonës, ndërsa ende nuk dihen motivet e kësaj vrasjeje të rëndë. /gazetajone



