Kryeministri Edi Rama ka marrë në mbrojtje investimin brenda ndërtesës së Kryeministrisë, që ka kushtuar plot 3.6 milionë euro.
Në një intervistë me gazetarin Blendi Fevziu, Rama e justifikoi luksin në vendin e tij të punës duke thënë se bëhet fjalë për një ambient dinjitoz ku priten personalitetet e huaja.
Rama tha se edhe presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe pyeti se si ishte bërë ky instilacion.
Pjesë nga intervista:
Fevziu: Jeni në një ambient ekzotik këtu, me dru, bimësi…
Rama: Ka kushtuar shumë shumë herë më pak se sa vlen. Dhe mbi të gjitha, këtu është dera që hapet për miqtë që na vizitojnë. Mundësia për t’i pritur në kushte që tregojnë dinjitet dhe se çfarë vizioni kemi ne për këtë vend, është vlerë e madhe e shtuar. Ky mjedis do ti vihet në dispozicion punonjësve të Kryeministrisë dhe publikut në raste eventesh. Janë shpenzime të papërfillshme për atë çka sjellin apo përfaqësojnë. Të mirëpresësh këtu presidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe, kur e dimë shumë mirë çfarë bëjnë ata me arkitekturë, ndjehesh mirë kur interesohen për mënyrën se si është ndërtuar, një strukturë që reflekton edhe simbolikën e kohës, përpjekja për të pasur sa më shumë natyrë…është diçka që të bën të ndihesh mirë.



