-900-0-1751018701xghghjjpg-377

Është mbajtur sot në Gjykatën e Posaçme, seanca e radhës për atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoj, ku ishte thirrur për të dëshmuar shtetasi Arben Haxhiaj, vëllai i Bashkim Haxhiajt, i cili ndodhet në burg dhe është i pandehur për të njëjtën ngjarje.

Arben Haxhiaj ka deklaruar përpara trupit gjykues se ka pasur një takim në vitin 2020 me Aleksandër Lahon, i njohur ndryshe si “Rrumi i Shijakut”, i cili e kishte vizituar në një lokal që Haxhiaj administronte në lagjen nr. 5 në Durrës.

“Aleksandër Lahon e njoh më shumë nga TV, por e kam takuar edhe personalisht. Ka ardhur tek lokali vetë i tretë. Mu prezantua vetë. Ishte pak i shëndoshë, i rrumbullakët. Arsyeja e takimit, ishte të më paralajmëronte që im vëlla, Bashkimi, të largohej nga ky sherr”, u shpreh Haxhiaj.

Ai gjithashtu deklaroi se është kërcënuar me mesazhe, ku i shkruhej “hiqni dorë, se do ta vrasim vëllain. Do të marrim edhe fëmijët e tu.” Sipas tij, kërcënimi ka ardhur disa kohë pas komunikimit me Aleksandër Lahon, por nuk e di kush është dërguesi. Ai ka pranuar se vëllai i tij ka qenë në një makinë me Plarent Dervishajn dhe Julian Meçen, ditën kur atyre iu është bërë atentat, e madje ka mbetur i dëmtuar.

“Edhe vëllait tim i është bërë atentat. Kur kam shkuar në spital, e kishin marrë në polici. Ishte në të njëjtën makinë me Plarent Dervishin dhe Jul Meçen, kur iu bë atentati. Në dijeninë time, janë dëmtuar të tre”, thuhet ndër të tjera në dëshmi.

Haxhiaj u shpreh se vijon të ndiejë rrezik për jetën e tij dhe të familjes, për shkak të situatës:

“Po të ishte zgjidhur ajo punë, kush e bëri atentatin, nuk do të isha unë këtu sot. Vij e dëshmoj se më thërrasin, por fëmijët e mi janë në rrezik, sepse jetoj në Durrës.”

Në lidhje me atentatin ndaj prokurorit Ndoj, është dënuar me burgim të përjetshëm Redian Rrahja, si dhe me 30 vite burg shtetasi Ariol Halilaj. Ndërkohë që vijojnë hetimet në lidhje me rolin që kanë pasur në atentat Plarent Dervishaj dhe Julian Meçe, si dhe shtetasi Bashkim Haxhiaj.

Arjan Ndoji në vitin 2019 i shpëtoi një atenati me armë zjarri, ku vetë mbeti i plagosur kurse shoferi u vra ndërkohë që udhëtonte sëbashku me një nga eksponentët e krimit, “Rumin e Shijakut”. Në maj të vitit 2022, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shkarkoi nga detyra prokurorin e Durrësit, Arjan Ndoj. Ai u hetua për të tri kriteret dhe gjatë vlerësimit të figurës së tij, u konstatua papështatshmëri e figurës, pasi dyshohet se ka favorizuar persona me precedent penalë gjatë detyrës së tij. Por edhe pse s’mund të ishte më pjesë e drejtësisë, në maj të këtij viti, Ndoji garoi në listën e hapur të Partisë Demokratike për qarkun e Durrësit, duke ia dalë që të fitonte mandatin si deputet i Kuvendit të Shqipërisë. /bold