Dritan Agolli, drejtuesi i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, është shndërruar në një biznesmen të mirëfilltë, edhe pse në fushën e turizmit veprojnë djali dhe bashkëshortja e tij. Në krye të një institucioni shtetëror, ai ka ngritur një numër ndërtesash, brenda të cilave janë hapur bare, restorante dhe hotele.

Një prej projekteve është ai në Llixhat e Bënjës, por edhe në Sarandë, Vlorë dhe rrethinat e Tiranës. Në parkun Retro të Bulqizës, me fondet e taksapaguesve shqiptarë, është ngritur një tjetër bar dhe restorant, ndërkohë që qytetarët çdo ditë e më shumë e shohin veten vetëm në mbijetesë.
Së fundmi, Agolli po ndjek gjurmët e biznesmenit Behgjet Pacolli, i cili prezantoi një projekt gjigant për një resort në zonën e Divjakës. Edhe këtë herë, me fondet publike, kreu i FSHZH-së po ndërton një hotel, restorant, bar dhe pishinë në një zonë kodrinore.

Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka shpallur një tender me objekt “ndërtimi i infrastrukturës së modeleve të integruara në zona me potencial zhvillimi, Divjakë”. Tenderi, sipas dokumenteve të siguruara nga VoxNews, kap vlerën 458.267.729 lekë, ose rreth 4.6 milionë euro. Projekti është prezantuar si “ferma e dijes dhe agroturizmit të ullishteve” në Divjakë, por me përmasat dhe investimin e madh, ngjan më tepër me një resort luksoz sesa me një pronë shtetërore.
Në një kodër të Divjakës do të ndërtohet një godinë e madhe dykatëshe, me punime guri e druri, që sipas projektuesve është konceptuar të harmonizohet me natyrën përreth. Fotot e para të projektit tregojnë se godina do të ketë dhoma hoteli, bare, restorante dhe pishinë.

“Ndërtesa kryesore, e dizajnuar për të ndërthurur estetikën moderne me elementet natyrore, qëndron në harmoni me peizazhin përreth”, theksohet në përshkrimin e projektit. Ullishtat shtrihen në të gjithë zonën, duke krijuar një atmosferë të qetë dhe edukative. “Pishina e integruar dhe tarracat e gjelbëruara shtojnë një prekje të qëndrueshme dhe luksoze, duke bërë këtë fermë një destinacion unik agroturistik.”



