dfsggg-1759090253

Danimarka do të vendosë një ndalim të përgjithshëm për fluturimet e dronëve civilë përpara një vizite të udhëheqësve evropianë në Kopenhagen javën e ardhshme.

Thomas Danielsen, ministri i transportit i Danimarkës, njoftoi të dielën se hapësira ajrore e vendit do të mbyllet midis të hënës dhe të premtes.

Krerët e qeverive të BE-së do të mbërrijnë të mërkurën për të diskutuar ndërhyrjet e dyshuara ruse në hapësirën ajrore evropiane.

Dronë u panë në disa objekte ushtarake gjatë natës së së shtunës në Danimarkë, pas një jave në të cilën sulmet me dronë shkaktuan mbylljen e përkohshme të disa aeroporteve daneze.

Sulme me dronë dhe shkelje të tjera të hapësirës ajrore janë raportuar gjithashtu nga Estonia, Polonia dhe Norvegjia.

Danimarka i ka quajtur dronët pjesë të një “sulmi hibrid”, por nuk ka thënë përfundimisht se kush beson se është përgjegjës.

Mette Frederiksen, kryeministrja, ka sugjeruar se mund të jetë Rusia, vendi kryesor “që përbën kërcënim për sigurinë evropiane”. Ndërsa Kremlini e mohon këtë pretendim.

Danielsen tha se masa për të mbyllur hapësirën ajrore do të eliminonte rrezikun e “ngatërrimit të droneve armike me dronë të ligjshëm dhe anasjelltas”.

Shkelja e ndalimit mund të rezultojë në gjoba ose edhe dënime me burg deri në dy vjet, paralajmëroi ministria.

Danimarka ka qenë një nga mbështetëset më të zjarrta të Ukrainës që nga fillimi i pushtimit rus dhe gjithashtu ka bërë përpjekje të mëdha për të forcuar aftësitë e veta ushtarake.

Të premten në mbrëmje, të paktën një dron u pa mbi Bazën Ajrore Karup, objekti më i madh i Danimarkës.

Ky ishte një nga disa aktivitete të pashpjegueshme të dronëve në të gjithë Danimarkën që nga 22 shtatori.

Qendra kryesore ndërkombëtare ajrore e vendit, aeroporti i Kopenhagenit, u mbyll për disa orë të hënën e kaluar pasi dronë u panë afër.

Volodymyr Zelenksy, presidenti i Ukrainës, tha se pamjet në Evropë ishin pjesë e strategjisë së Kremlinit për të kontrolluar mbrojtjen e qiejve të saj nga Evropa.