-640-0-g33-1725046704

Ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, ka reaguar pas ceremonisë së varrimit të Ratko Mlladiçit në Beograd, duke e cilësuar atë si një ngjarje që tejkaloi kufijtë e një funerali mori një karakter të qartë politik e simbolik.

Bushati thekson se prania e mijëra njerëzve në ceremoni, e shoqëruar me nderime dhe me pjesëmarrjen e organizuar të veteranëve të Ushtrisë së Republikës Srpska, të cilët mbërritën në Beograd nga Banja Luka, tregon se bëhej fjalë për një ngjarje që shkonte përtej një ceremonie mortore.

“Mijëra njerëz në ceremoninë e varrimit të Ratko Mlladiçit, të shoqëruar nga nderime shtetërore dhe pjesëmarrja e veteranëve të Ushtrisë së Republikës Srpska, të cilët mbërritën në Beograd në mënyrë të organizuar nga Banja Luka, dëshmon se kjo ngjarje i tejkaloi kufijtë e një funerali.

Kjo histori shkon përtej Ratko Mlladiçit. Dhe është pasojë e një politike disavjeçare të mbylljes së syve dhe tolerimit të Serbisë, për ta ankoruar atë kinse në rrjedhat perëndimore. Për vite me radhë, BE-ja ka bashkëjetuar me këtë situatë.

Duke i dhënë përparësi stabilitetit të rrejshëm dhe jo demokratizimit të mirëfilltë. Ndaj, sot nuk mund ta trajtojë organizimin e ceremonisë shtetërore për një kriminel luftë si një episod të veçuar, por si pasojë e drejtpërdrejtë e një politike të gabuar”, shkruan ai ndër të tjera, duke nënvizuar më tej se edhe vendet e rajonit, përfshirë Shqipërinë, duhet ta rishikojnë mënyrën se si ndërtojnë marrëdhëniet me Serbinë, pasi bashkëpunimi nuk mund të mbështetet vetëm mbi interesa apo formula politike, por duhet të ketë në themel parime të qarta, veçanërisht një ndarje të pakushtëzuar nga krimet e luftës dhe gjenocidi.

Reagimi i plotë:

Mijëra njerëz në ceremoninë e varrimit të Ratko Mlladiçit, të shoqëruar nga nderime shtetërore dhe pjesëmarrja e veteranëve të Ushtrisë së Republikës Srpska, të cilët mbërritën në Beograd në mënyrë të organizuar nga Banja Luka, dëshmon se kjo ngjarje i tejkaloi kufijtë e një funerali.

Kjo histori shkon përtej Ratko Mlladiçit. Dhe është pasojë e një politike disavjeçare të mbylljes së syve dhe tolerimit të Serbisë, për ta ankoruar atë kinse në rrjedhat perëndimore. Për vite me radhë, BE-ja ka bashkëjetuar me këtë situatë. Duke i dhënë përparësi stabilitetit të rrejshëm dhe jo demokratizimit të mirëfilltë. Ndaj, sot nuk mund ta trajtojë organizimin e ceremonisë shtetërore për një kriminel luftë si një episod të veçuar, por si pasojë e drejtpërdrejtë e një politike të gabuar.

Gjithçka që lidhet me vdekjen dhe varrimin e Mlladiçit nuk mund të shihet si një shpërthim spontan emocionesh apo si një teprim i paparashikuar. Përkundrazi, ishte një shfaqje e përgatitur dhe e sinkronizuar me mjeshtëri, në të cilën shteti, ushtria dhe kisha vepruan së bashku për të njëjtin qëllim: glorifikimin e një krimineli lufte. Secili prej këtyre institucioneve kishte rolin e vet të qartë në një skenar që synon rehabilitimin e politikave të viteve ’90 dhe legjitimimin zyrtar të asaj që është ndërtuar në hije për vite me radhë.

Sot, komuniteti ndërkombëtar nuk po përballet me ndonjë befasi, por thjesht po korr frytet e oportunizmit dhe politikës së lëshimeve ndaj Serbisë. Ndërsa vendet e rajonit, duke filluar nga Shqipëria, duhet të kuptojnë se bashkëpunimi me Serbinë nuk mund të mbështetet mbi metafora, por mbi disa parime të patjetërsueshme për pajtimin, që lidhen me ndarjen e qartë nga e shkuara e errët e krimeve të luftës dhe gjenocidit.