policia burgjeve

Ndryshimet në Kodin Penal, që janë diskuatuar së fundi në vend, dhe pritet të kalojnë në Kuvend përgjatë kësaj legjislature, kanë hasur kundërshti dhe në radhët e të burgosurve. Në një letër që i kanë dërguar Ministrit të Drejtësisë, një grup i të burgosurve në burgun e sigurisë së lartë në Peqin, kanë shprehur kundërshti me disa prej neneve që pritet të ndryshojnë në Kodin Penal.

“Ne të dënuarit jemi të prekur drejtpërdrejtë nga drafti dhe ndaj kërkojmë që llogaritja e paraburgimit të ndryshohet, konkretisht një ditë paraburgim të ketë vlerën e dy ditëve burgim, ose të lihet siç ka qenë, pasi të barazosh një ditë arrest shtëpie me një ditë paraburgim është absurd dhe fyese. Nuk mund të barazosh anën psikologjike, shpirtërore, fizike të një të paraburgosuri me një që mbahet nën arrest shtëpie shkruhet më tej”, nis kërkesa.

Më tej të burgosurit e Peqinit kërkojnë aplikim të gjysmë lirisë për të gjitha llojet e dënimeve, “aq më tepër” ankohen më tej të dënuarit, “kur shteti modelin më të ashpër siç është “41 biss”, përse të mos aplikojnë dhe anën tjetër të medaljes siç është gjysmë liria”.

Duke u kthyer tek burgimi i përjetshëm të dënuarit kërkojnë përshtatjen e ligjeve sipas standardeve evropiane përderisa në kodin penal të 1997 lirimi me kusht vlerësohej pasi i akuzuari mbushte 25 vite burgosje.

Kjo gjë u rrit në mënyrë drastike duke i shtuar edhe dhjetë vjet të tjera, ankohen të burgosurit që sipas ‘TCh’, në Shqipëri janë 198 të dënuar të përjetshëm.

“Për ju ngelëm gjithmonë kriminelë”, ankohen të burgosurit.

Kërkesa tjetër është ajo e faljes që në draft parashikohet t’i lihet si e drejtë familjarëve të viktimave, të burgosurit kërkojnë që këtë falje dhe tolerancë ta ofrojë shteti. Për këtë duke përmendur librat e shenjtë ata citojnë: Nuk ka engjëj në këtë botë mëkatare.

Në këtë kontekst ata kërkojnë një dritë jeshile edhe për rishikimin e vendimeve për të përfshirë rishqyrtimin, pasi sipas tyre reforma në drejtësi tregoi që ka gjyqtarë që kanë dhënë dënime të ashpra dhe të padrejta.