Klodian Braho është kreu i ri i Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Shtatë anëtarë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë votuan për Brahon, tre për Adnan Xholin dhe një për Elvin Gokajn.
Braho do ta marrë zyrtarisht detyrën në një ceremoni të dorëzimit të kompetencave më 19 dhjetor 2025.
Ndërsa u pyet sot nga anëtarët e KLP-së se si ka ndryshuar jeta e tij si prokuror, Klodian Braho, ishte i sinqertë, teksa iu përgjigj kësaj pyetjeje.
Ai tha se prokurorët nuk mund të bëjnë një jetë normale, e kufizimet shkojnë deri aty sa, përpara se të shkojnë në një lokal, kontrollojnë se cili është pronari.
“Për shkak të funksionit, sidomos që nga momenti i krimeve të rënda, dhe kjo periudhë, sjellja ka ndryshuar. Prokurorët nuk mund të bëjnë një jetë normale si gjithë të tjerët. Nuk po themi se nuk rrimë të mbyllur, por ka disa kufizime që duhet t’i respektojmë. Aq sa edhe kur shkon në një lokal, kontrollojmë kush e ka në QKB. E them shumë sinqerisht këtë. Patjetër që këto janë kufizime, nuk janë vetëm tek ne, por të gjitha vendeve të qytetëruara”.
Braho tha se përpiqet që të mos e ndryshojë mënyrën e jetesës pavarësisht kufizimeve.
“Por ajo që mund të them është që përpiqem mos e ndryshoj mënyrën time të jetesës. Sepse në të kundërt do të kthehesh në një situatë negative, nga presioni apo ngarkesa e punës. Përpiqem ta mbaj punën larg shtëpisë, dhe të mos ndryshoj mënyrën time të jetesës. Por gjithmonë duke respektuar një sërë kufizimesh që e kam zgjedhur vetë këtë punë, nuk na ka sjellë njeri me zor”.
Braho do ta marrë zyrtarisht detyrën në një ceremoni të dorëzimit të kompetencave më 19 dhjetor 2025.
Prokurori Braho, 43 vjeç, pjesë e sistemit të drejtësisë që prej vitit 2007, ka qenë ndërkohë një nga figurat kryesore të SPAK-ut.



