-1000-0-img-0574-6ab7556bd8387

Një nga mashtrimet më të mëdha financiare të realizuara me ndihmën e inteligjencës artificiale ka goditur sistemin bankar italian. Mashtrues që përdorën AI për t’u shtirur si drejtues të lartë arritën të vidhnin 95 milionë euro nga Fideuram, banka private e grupit Intesa Sanpaolo.

Sipas Reuters, më shumë se gjysma e shumës është rikuperuar, por rreth 36 milionë euro vazhdojnë të jenë të zhdukura.

Skema nisi në shkurt, kur Paolo Molesini, në atë kohë president i Fideuram, mori një mesazh në WhatsApp që dukej sikur ishte dërguar nga Carlo Messina, CEO i Intesa Sanpaolo. Në mesazh kërkohej ndihmë urgjente për realizimin e një transaksioni jashtë vendit.

Mashtruesit nuk u mjaftuan me mesazhin. Pak më vonë, Molesini mori edhe një telefonatë që dukej se vinte nga një partner i lartë i një studioje të njohur ligjore, i cili konfirmonte udhëzimin. Sipas burimeve të cituara nga Reuters, mashtruesit kishin përdorur inteligjencën artificiale për të klonuar zërin e avokatit.

I bindur se kërkesa ishte autentike, Molesini udhëzoi departamentin financiar të kryente një seri transfertash drejt llogarive jashtë Italisë, kryesisht në Kinë dhe Hong Kong.

Fideuram zbuloi më pas parregullsitë dhe njoftoi bankat dhe autoritetet në disa vende. Falë bashkëpunimit mes autoriteteve italiane, kineze dhe portugeze u arrit të rikuperoheshin rreth 53 milionë euro.

Por rreth 36 milionë euro nuk janë gjetur ende. Sipas burimeve, paratë kanë kaluar përmes një rrjeti llogarish bankare jashtë vendit dhe më pas janë konvertuar në kriptomonedha.

As Molesini dhe as drejtues të tjerë të Fideuram nuk janë nën hetim. Prokuroria e Milanos ka vendosur nën hetim një shtetas të huaj që jeton jashtë Europës, nën dyshimin për mashtrim kompjuterik.

Molesini dha dorëheqjen nga posti i presidentit të Fideuram në mars, duke përmendur arsye personale. Në atë kohë banka nuk dha shpjegime të tjera për largimin e tij.

Rasti nuk është i pari në Itali ku inteligjenca artificiale përdoret për të imituar zërin e personave të njohur dhe për të realizuar mashtrime financiare. Vitin e kaluar, persona që imituan me AI zërin e një ministri italian bindën biznesmenin Massimo Moratti të transferonte pothuajse 1 milion euro në një llogari jashtë vendit. Në atë rast, paratë u rikuperuan.