Pavarësisht problemeve me drejtësinë dhe kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit, Belinda Balluku duket se vazhdon të ruajë pushtetin e saj të madh brenda maxhorancës socialiste. Konfirmimi i fundit vjen nga emërimet e dy drejtorëve, nga më të rëndësishmit, të shtetit, atij të Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe drejtorit të KESH.
Këtë të mërkurë, qeveria shqiptare ka emëruar Ami Kozelin në krye të Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe Viola Haxhiademin në drejtimin e Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare.

Ami Kozeli
Kozeli dhe Haxhiademi janë dy nga njerëzit me të afërt të Belinda Ballukut, ku i pari ka mbajtur postin e zëvendësministrit deri më sot, ndërsa Haxhiademi ka qenë sekretarja e Përgjithshme e Ballukut.

Viola Haxhiademi
Kozeli dhe Haxhiademi zëvendësojnë dy drejtorët e arrestuar të ARRSH-së dhe KESH-it, respektivisht Gentian Gjylin dhe Erald Elezin.
Ndonëse pas shpërthimit në publik të dosjes, fuqia politike e Belinda Ballukut është ulur drastikisht, duket se zëvendëskryeministrja e rikthyer në detyrë, vijon të ruajë pushtetin e madh ekzekutiv duke diktuar emërimet e njerëzve të saj në agjencitë shtetërore, ku luhet leku më i madh i shtetit.
Megjithatë telashet me drejtësinë duket se janë pranë edhe drejtorëve te rinj. Të paktën, Viola Haxhiademi është me telefon në SPAK për shkak të disa çështjeve në hetim, çka me gjasa do të thotë se valsi i drejtorëve të shtetit do të jetë me qarkullim të lartë këto kohë, derisa të marrë rrugë përfundimisht fati i Ballukut. kapitali



