-640-0-e0e1e4468e42402edf4e6f4b3d1407b6

Zona turistike e Golemit po përballet prej vitesh me një problem serioz mjedisor, ku ujërat e zeza dyshohet se derdhen drejtpërdrejt në det, pa asnjë trajtim apo filtër mbrojtës.

Situata vijon të mbetet shqetësuese, duke cenuar rëndë shëndetin publik dhe imazhin e një prej destinacioneve më të frekuentuara të bregdetit shqiptar.

Pamjet e siguruara së fundmi tregojnë qartë praninë e ujërave të ndotura në vijën bregdetare, ku pushuesit detyrohen të kalojnë mes tyre.

Në rërën pranë detit dallohet një tub shkarkimi, i cili derdh ujëra të zeza direkt në Adriatik, vetëm pak metra larg zonave ku lahen turistët.

Golemi dhe Durrësi janë përmendur edhe më herët për problematikën e ndotjes së ujërave detare, duke ngritur vazhdimisht shqetësime për rrezikun që i kanoset shëndetit të pushuesve, si dhe dëmtimin e imazhit të turizmit shqiptar në sytë e vizitorëve të huaj.

Sipas legjislacionit në fuqi, derdhja e ujërave të zeza në det është e ndaluar rreptësisht.

Subjektet që kryejnë këtë shkelje përballen me gjoba të konsiderueshme, ndërsa në rast përsëritjeje, parashikohet edhe mbyllja e aktivitetit.

Aktualisht, pika e shkarkimit ndodhet pranë një hoteli, çka shton dyshimet për shkelje të rënda mjedisore.