Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka reaguar zyrtarisht ndaj deklarimeve të bëra në media nga Këshilli Bashkiak i Tiranës, duke i cilësuar si të pavërteta pretendimet për vonesa në transferimin e Erion Veliajt nga IEVP Durrës drejt Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Sipas deklaratës për shtyp, Policia e Burgjeve ka njoftuar në kohë shtetasin E.V. për përgatitjen dhe nisjen drejt seancës gjyqësore, ndërsa mjetet e eskortës kanë qenë të pranishme në ambientet e institucionit të vuajtjes së dënimit brenda orarit të parashikuar.
Në momentin e njoftimit, thekson Drejtoria e Burgjeve, Erion Veliaj ka refuzuar të dalë, duke pretenduar se mjeti i Policisë së Burgjeve ishte vonuar. Ky pretendim, sipas institucionit, nuk qëndron.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve sqaron gjithashtu se për çdo vonesë apo ndryshim orari, kancelaria e gjykatës njoftohet zyrtarisht dhe se nga ana e saj nuk ka pasur asnjë pengesë për zhvillimin normal të procesit gjyqësor.



