IMG_7344

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar kërkon arrestimin e zv. Kryeministres njëherësh ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, për aferat korruptive të Tunelit të Llogarasë si dhe për aferat korruptive të Unazës së Madhe të Tiranës.

Janë të paktën 7 episode për lotet e Tiranës, ku fituesit e tenderave janë përcaktuar ose direkt nga Belinda Balluku, sipas negociatave paraprake me biznesmenët e lidhur me të. E në disa raste, sipas përgjimeve rezulton se ndarja e tortës 450 milionë euro të Unazës është bërë sipas urdhërave dhe dakordësisë së këtyre bizneseve me Edi Ramën.

Belinda Balluku: Për këtë flet ky se ka rënë dakord me Ramen. E dyta pse ja ke bërë për 3 vite? Se është çmenduri. Merru me këto se do me çmendesh. Sqaroji atij kurvë që nuk do hapen procese të reja se nuk lejojnë financat.

Evis Berberi: “Ok”.

Belinda Balluku: Ça janë këto supervizione që paske hap ti???

Evis Berberi: Po pba për tre vite. Janë të mirëmbajtjes.

Belinda Balluku: Kanë mirëmbajtjet supervizion? I ke hapur ti? E po një do ta marr ky super k… se ia ka premtuar R?”

Evis Berberi: Po bb i kishte një të madhe unë i ndava që të akomodohesh më shumë.

Belinda Balluku: S’më pëlqen fare që unë nuk di çfarë bën ti.

Evis Berberi: Po kë të doje

Belinda Balluku: Jo kë të doje jo

Evis Berberi: Të vi në mije

Në një nga episodet, për një nga lotet, SPAK ka arritur të sigurojë prova për abuzim, e pjesë e abuzimit janë personazhe me lidhje të forta me Belinda Ballukun.

Kompania 4 AM e Ardit Metaliaj, të cilën Plug e ka denoncuar edhe pak kohë më parë, rezulton si përfituese e një prej këtyre loteve në bashkëpunim me kompanitë  ED KONSTRUKSION sh.p.k dhe IDK KONSTRUKSION sh.p.k”.

Kjo zbulohet nga hetimi i SPAK, që për tenderin e dhënë kompanisë 4 AM, Belinda Balluku ka konsumuar të paktën  4 vepra penale.

Emisioni Plug ka mësuar se bëhet fjalë për lotin e dytë të Unazës dhe vlera e tenderit ishte 28 milionë euro, ku të gjitha kompanitë e tjera janë skualifikuar.

Teksa është në hetim për tenderin 28 milionë euro në Unazën e Tiranës, Belinda Balluku ka vijuar dhënien e të tjerë tenderave. Në 2 shtator të këtij viti, kompania 4 AM ka fituar gjithashtu tenderin 33 milionë euro për ndërtimin e Unazës Kashar-Vaqar, loti i parë. Madje kjo kompani ka marrë tenderin 3 milionë euro për mirmbajtjen e Tunelit të Llogarasë apo 29 milionë euro për ndërtimin e një prej loteve të rrugës Elbasan-Qafë Thanë.

Pra vetëm gjatë hetimit nga SPAK kompania 4 AM me 3 tendera ka marrë plot 83 milionë euro.

Ndërkohë që në 5 vitet e fundit, për llogari të 4 AM, Belinda Balluku ka firmosur tendera dhe projekte që përllogariten në mbi 150 milionë euro.

Në hetime del edhe një kompani e cila merr tendera në bazë të skemës korruptive të Belinda Ballukut, 4 AM.

SPAK ka përqëndruar hetimet tek abuzimet me tenderat në Tunelin e Llogarasë si dhe në Unazën e Madhe. Por me shtrirjen e hetimeve në tenderat që ka marrë kjo kompani, do të provohet se 4 AM ka përfituar fonde që tejkalojnë edhe vlerën e abuzimit në Tunelin e Llogarasë. Afro 240 milionë euro fonde, me firmë të Belinda Ballukut kanë shkuar te kjo kompani, që siç do tua provojmë në vijim, pjesë janë edhe bashkëpunëtrorët e saj më të afërm. Investigimi i Emisionit Plug për këtë kompani nisi nga një tjetër investigim në sektorin energjetik, ku të njëjtët personazhe, tashmë veç milionave kanë marrë edhe leje për parqe fotovoltaike. Por le të ndjekim në fillim pjesën e parë, dhe më pas rikthehemi për zbërthyer të gjithë skemën.

Si investimin më të suksesshëm por edhe më të kushtueshmin qeveria e Edi Ramës dhe Belinda Ballukut si ministre e Infrastrukturës dhe Energjetikës, mbeten Tigrat, të cilat siç ju faktuam në emisionet e shkuara janë fund e krye, një aferë e pastër me miliona euro. Duket se Tigrat, nuk janë e vetmja aferë në sektorin energjetikë, pasi ato që kryeministri Edi Rama përpiqet ti shesë si sukses, Parqet Fotovoltaike, janë një nga sektorët e reja, hambar milionash për drejtorët e Belinda Ballukut. Fal bashkëpunimit të fortë me Ballukun, zemërgjerësisë së institucioneve të drejtuara nga rilindja dhe me firmë të Edi Ramës, këta drejtorë janë sot pronarët defakto të këtij sektori energjetik.

Maksim Et’hemaj, një personazh jo shumë i njohur për publikun, por një nga personazhet kyç të Belinda Ballukut, sa i përket mbarimit të punëve, kryesisht në fushën e Aviacionit Civil, ku edhe vetë Balluku gëzon një eksperiencë të gjatë.

Maksim Et’hemaj aktualisht është Drejtor Ekzekutiv i Autoritetin e Aviacionit Civil Shqiptar, dhe me një përvojë 22 vjeçare në menaxhimin e trafikut Ajëror. Por përvoja e Et’hemajt, fal lidhjeve të forta me Belinda Ballukun, apo familjarëve të tij, është po ashtu e suksesshme edhe në kontrata me qeverinë.

Sipas standartit Rilindas, bashkëpunëtorët e afërt të Shefe Belës shpërblehen me licensa po me firmë të saj.

Në tetor të vitit 2020 themelohet kompania GREEN PLUS ENERGY me aksionere shtetasen Eva Kjaer dhe administrator shtetasin Gjergj Pano. Objekt i aktivitetit: Implementimi dhe menaxhimi i projekteve gjeneruese te energjise – elektrike, fotovoltaike, dhe gjithe llojeve te tjera te prodhimit te energjise dhe veprave ndihmese ne gjithe territorin e Shqiperise.

Pra aktiviteti që ka zgjedhur zonja që jeton jashtë Shqipërie e me profesion shef guzhine është prodhimi i energjisë nëpërmjet impianteve fotovoltaike. Eva Kjaer, kuzhinierja, me ambicie për investime në energjetikë, rezulton  të jetë motra e Drejtorit të Aviacionit Civil Maksim Et’hemaj, kurse shtetasi Gjergj Pano është vëllai i gruas së Maksim Et’hemaj.

Të dhëna të mjaftueshme këto, që në datë 28 prill të vitit 2023, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ti hapë rrugë firmosjes së kontratës “Për ndërtimin, shfrytëzimin dhe administrimin e centralit gjenerues të energjisë elektrike fotovoltaike, me kapacitet prodhues 2 MW, dhe veprave ndihmëse, në Njësinë Administrative Topojë, Bashkia Fier, Qarku Fier”, ku aktualisht Belinda Balluku drejton Fushatën Elektorale.

Në një kohë record, vetëm një muaj më pas, leja e firmosur nga Balluku, merr edhe vulën e KKT, që i miraton lejen zhvillimore. Pra gjithë kjo urgjencë për të miratuar këtë kontratë të majmë për motrën e Drejtorit Et’hemaj, për një kompanië që nuk ka asnjë të ardhur dhe 0 m2 tokë në pronësi.

Dy muaj pasi është miratuar leja zhvillimore nga KKT në korrik të vitit 2023, Eva Kjaer vendos të shes 40% të aksioneve kompanisë 4 A-M në vlerën 40.000 lekë. Deri këtu kushdo do të mendojë që është një marrëdhënie normale biznesi por bilancet e kompanisë flasin ndryshe. Në bilancin e vitit 2020 pasqyrohet se kompania ka në llogari vlerën 34.500.000 lekë e cila sipas sqarimeve pasqyrohet si garanci paraprake për kryerjen e punimeve. Kjo vlerë e konsiderueshme nuk është kontribut i ortakut të kompanisë dhe nuk identifikohet se kush i ka parapaguar. Për vitet 2021,2022 kjo vlerë qëndron në llogari bankare e pandryshuar. Në bilancet e vitit 2021 dhe 2022 pasqyrohet dhe një tjetër pagesë, ajo për Bashkisë Fier për marrjen me qëra të tokës. Specifikisht për vitin 2021 është paguar 221.000 lekë qera toke dhe në vitin 2022 është paguar 121.000 lekë.

Një vlerë qesharake qeraje 120 euro në muaj për 30.000 m2 tokë sipas përcaktimeve në studimin e paraqitur pranë KKT. Në bilancin e vitit 2023 identifikohet më në fund se kush ishte bamirësi që i dha rreth 340.000 euro pa interes për 3 vite kompanisë së motrës së Drejtorit të Aviacionit Civil i cili më parë ka mbajtur dhe detyrën e rëndësishme në ANTA, atë të Drejtorit të Përgjithshëm Teknik. Sipas të dhënave rezulton se tashmë vlera 34.500.000 nuk paraqitet më si parapagim por si hua e dhënë nga ortaku 4 A-M shpk.

Pra, e thënë më thjeshtë, motrës së drejtorit i lind dëshira ti futet biznesit energjitik në Shqipëri dhe pse dekada në emigracion dhe me profesion guzhuniere. Për të realizuar këtë dëshirë sepse duhen disa para e garanci në ndihmë i vjen kompania bujare 4 A-M dhe Bashkia Fier. Njëra bamirëse me para dhe tjetra bamirëse me toka shtet.

Por a është kjo rastësi? Në kohën kur 4 A-M tregohej bamirëse me kompaninë e të motrës, ANTA i jep asaj 3 tendera në vlerën 500 mijë euro. Konkretisht në vitin 2018, mes ANTA-s dhe 4 A-M lidhet kontrata për “Blerje AC specifik sipas nevojave te Teknikes” me vlerë 2. 5 milionë lekë. Në prill të vitit 2019, në një tendera pa garë dhe flamur të kuq, 4 A-M merr 29. 3 milionë lekë për “Shpenzime mirëmbajtje dhe blerje pjesë ndërrimi e sistemeve të instaluara në Administratë”. Dhe në fund të vitit 2021 merr tenderin tjetër me vlerë 20.5 milionë lekë pa garë e me flamur të kuq. Të gjitha këto procedura të përfituara nga 4 A-M pranë ANTA (ALBCONTROLL) në vlerën 500.000 euro janë në periudhën kur Drejtori Drejtorisë Teknike është pikërisht vëllai I Eva Kjaer shtetasi Maksim Et’hemaj. Nuk duam të akuzojmë askënd por këto veprime ngrenë dyshime të arsyeshme që SPAK të hetojë.

Një tjetër problem i konstatuar në këtë projekt është kategoria e tokës, e cila nuk e lejon miratimin e ndërtimit të nje Impianti Fotovoltaik, pasi sipas projektit është thjesht “ranishte” por pa përcaktuar kategorinë. Ky fakt penal gjendet gjerësisht në kontratat e firmosura nga Balluku për Shqipërinë Superfuqi Energjitike.Shkeljet e rënda për përfitimin e tokës janë gjetur edhe nga Kontrolli I Lartë I Shtetit, ku duket se për njerëzit nën influencën e Belinda Ballukut, kryebashkiaku i Fierit Armando Subashi, nuk është kursyer as duke rrezikuar edhe burgun. Subashi ka nxituar të firmosë kontratën e dhënies së sipërfaqes prej 30 mijë metër për kompaninë GREEN PLUS ENERGY, për një çmim qesharak, pa marrë më parë miratimin e Këshillit Bashkiak siç e kërkojnë ligjet në fuqi. E për më tepër kontrata është nënshkruar për 20 vite, ndërkohë që ligji parashikon që për këtë kategori toke, kontrata maksimale mund të jetë deri në 10 vite.

KLSH

Nga auditimi konstatohet se dhënia me qira e pasurisë me nr. 552/9, është dhënë pa miratuar nga Këshilli Bashkiak Fier. Kontrata e lidhur me shoqërinë “GREEN PLUS ENERGY” dt.31.05.2022 me afat 20 vjet, në faqen 2 seksioni baza ligjore dhe neni 1 i kontratës, i referohet Vendimit të Këshillit Bashkiak nr. 101 datë 19.12.2017 “Për miratimin e fillimit të procedurave të dhënies me qira të sipërfaqeve tokë pa frut në Fshatin Sheq Marinas, Njësia Administrative Topojë, Bashkia Fier. Në këtë vendim nuk rezulton e përfshirë pasuria në fjalë.

Më tej KLSH konstaton shkelje të tjera të rënda, pasi kjo kontratëështë bërë në shkelje tënenin 54 pika e, e ligjit Nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore” ku citohet “Miraton tjetërsimin ose dhënien në përdorim të pronave të tretëve”. Pasi nuk është ngritur grup pune nga ana e Subashit për vlerësimin dhe kontrollin e dokumentacionit përkatës, si dhe nuk ka relacion për përcaktimin e çmimit, çka konkuldoi me dhënien e tokës me një çmim shumë herë më të ulët se sa duhej dhënë realisht. Por për Armand Subashin, duket se nuk kishte rëndësi respektimi i ligjit përball përmbylljes së procedurës për njerëzit e zv. Kryeministres Belinda Balluku dhe në datë 18 dhjetor të vitit 2020 është firmosur kontrata mes kryebashkiakut Armando Subashi dhe kompanisë GREEN PLUS ENERGY.

KLSH raporton gjithashtu se me këtë kontratë është shkelur edhe VKM-ja nr. 54, pas të drejtën e nënshkrimit të kontratës dhe dhënien me qera nuk e ka Bashkia por Ministria e Ekonomisë.

Një tjetër shkelje e rëndë ligjore për kalimin e pronësisëështë bërë për faktin, pasi në momentin e lidhjes së kontratës për marrjen e tokës me qera, kompania GREEN PLUS ENERGY nuk kishte përfunduar procedurën e marrjes së lejes për ndërtimin e parkut fotovoltaik, pasi i ishte lënë një afat 6 mujor për plotësimin e dokumentacionit dhe kritereve. Por duket se kjo procedure është marrë e mirëqenë, e është treguar siguri abosolute për vijimin e procedurës për marrjen e lejes përfundimtare, për sa kohë të gjitha institucionet shtetërore vihen në rresht për ti falur edhe tokën që u përketë banorëve të asaj zone, dhe jo njerëzve të lidhur me Belinda Ballukun.

Për të përfituar miliona euro nga xhepat e taksapaguesve shqiptarë ishin ngritur një rrjet kompanishë, që të lidhura me njera tjetrën kanë gllabëruar jo pak por 128 milionë euro. Dhe në krye të gjithë kësaj skeme, qëndron kompania 4 AM dhe Belinda Balluku, që firmos miliona euro në favor të kompanive në emër të bashkëpunëtorëve të saj.

MD GREEN ENERGY është një tjetër kompani e krijuar nga hiçi që mori më pas leje për ndërtim parqesh fotovoltaike. Kjo kompani u themelua në mars të vitit 2022 me aksioner, DABAR 50% (Reni Metaliaj) dhe I.D.K me 50% të aksioneve të tjera. Objekti i veprimtarisë është “Prodhimi i energjisë duke shfrytëzuar burime hidrike, diellore etj”. Në korrik të vitit 2024 administrator emërohet Nikë Shanku, i cili veç i punësuar pranë kompanisë 4- AM është edhe pedagog në Fakultetin e Inxhinierisë. Sipas raportit të OST, kjo kompani në datën 21.03.2022 ka aplikuar për ndërtimin e një parku Fotovoltaik (80 MW) dhe ka marrë brenda 9 ditëve opinionin paraprak në OST.

Edhe në këtë rast, brenda një kohe record, në maj të vitit 2024 KKT ka miratuar projektin me objekt: Leje Zhvillimi për objektin: “Park Fotovoltaik 80MË “MD”, me vendndodhje Bashkinë Fier”, me subjekt zhvillues bashkimin e përkohshëm të shoqërive “Md Green Energy” sh.p.k dhe “Ozgun Insaat Taahhut Sanayi Ve Ticaret” L.t.d. Projekti sërish do të ndërtohet në zonën e preferuar të Belinda Ballukut.

Po le të ndalemi pak tek kompania DABAR, pronare me 50 % eMd Green Energy, e cila është përfituese lejes për ndërtimin e parkut fotovoltaik. Kjo kompani u themelua në vitin 2016, nga Reni Metaliaj, i cili në atë kohë ishte vetëm 26 vjeç. Reni Metaliaj figuron në gjëndjen civile të vëllait Artan Metaliaj, i cili është i martuar me shtetasen Elsa Metaliaj, Drejtore e Burimeve Njerëzore pranë kompanisë 4 -AM. Por i riu që iu fut biznesit me kompaninë e tij, rezulton edhe vëllai i Ardit Metaliajt, pronarit të vetëm të kompanisë 4 A M.

Deri në vititn 2018, administrator i kësaj kompanie është shtetasi Ermal Tahiraj, i cili nga sa do të rezultojë më pas, ka krijuar një tjetër kompani që do të përfitojë miliona euro fonde publike.

Në vitin 2018, administrator i DABAR emërohet Arjan Ismajlisufaj, funksion të cilin do e mbaj deri në vitin 2021, kur në vend të tij do të caktohet Fationa Gashi që më parë punonte si përkthyese pranë kompanisë 4 A-M.

Prej vitit 2017 deri në vitin 2023, kompania deklaron një xhiro të madhe por me një fitim minimal.

-2017 faturon 97.000.000 lekë me nje fitim minimal 400.000 lekë.
-2018 faturon 32.000.000 lekë me fitim 300.000 lekë.
-2019 faturon 103.000.000 lekë dhe fitim 711.000 lekë.
-2020 faturon 155.000.000 lekë me një fitim 760.000 lekë.
-2021 faturon 129.000.000 lekë me një fitim 670.000 lekë.
-2022 faturon 116.000.000 lekë me një fitim 500.000 lekë.
-2023 faturon 16.000.000 lekë me një fitim 100.000 lekë.

Në nëntor të vitit 2024 kompania vendos të rris kapitalin në vlerën 1.4 milion euro në natyrë pasi aksioneri kryesor që në vitin 2016 rezulton pronar i një toke në Mëzez.

Reni Metaliaj në moshën 26 vjeçare rezulton se ka patur të ardhura të blejë një pronë e cila është rivlersuar në vitin 2016 në vlerën 1.4 milion euro.

Pikërisht kjo pasuri ngre dyshime të mëdha, dhe i takon SPAK të hetojnë burimin e të ardhurave të këtij shtetasi. Në mars të vitit 2021 kjo kompani rezulton se kishte vetëm 3 të punësuar: Reni Metaliaj ( pronari); Arjan Ismajlisufaj ( drejtor) dhe Renada Goçaj (ekonomiste).

Por edhe pse kompani me vetëm 3 punonjës, DABAR ka përfituar 1 kontratë publike në institucionet e varësisë së Belinda Ballukut: Në vjeshtën e vitit 2020, kjo kompani sëbashku me kompaninë tjetër ILIRIADA shpallen fituese të tenderit me vlerë 120 milionë lekë nga OSSH me object “Transformator fuqie TL/TM për N/Stacione kritike (Rexhepaj ; Jagodinë)”.

Nga analizimi i i bilanceve rezulton se kjo kompani që nga themelimi ka faturuar 648.000.000 lekë osë 6.4 milion euro me vetëm 3-4 punonjës e mbi të gjitha nuk jepen të dhëna se nga cila kompani i ka përfituar këto të ardhura të cilat dyshohen se janë përdorur për të rritur shpenzimet ose për të qarkulluar para në kompaninë DABAR, e më pas për të vazhduar nga kjo e fundit biznesin e ndërtimit. Skema të njohura këto, që edhe më herët janë bërë objekt hetimi nga SPAK.

Në maj të vitit 2025, DABAR dhe I.D.K vendosin ti shesin aksionet kompanisë 4 A-M.

Nuk dihen arsyet përse ka ndodhur kjo shitje por vlera e shitjes është qesharake.
1000 euro për të blerë një kompani e cila ka jo vetëm leje të miratuar për një park fotovoltaik 80 MË por edhe AKTIVE në vlerën 1.4 million euro.

Zinxhiri i kompanive vijon me ILIRIADA, me të cilën DABAR fitoi tenderin nga OSSH. ILIRIADA është themeluar që prej vitit 1994 dhe deri në vitin 2018, kjo kompani kishte në rastin më të mirë një fitim minimal ose në përgjithësi rezulton me humbje.

Në shkurt të vitit 2018 aksion blihen 71% nga Eduart Tahiraj dhe 29% Arjan Latifi. Arsyen e blerjes së kësaj kompanie do ta kuptoni në vijimin e investigimit.

Eduart Tahiraj është punonjës i kompanisë 4 A-M dhe vëllai i tij, Ermal Tahiraj rezulton deri në prill të vitit 2018 administrator i kompanisë DABAR e me pas rezulton i punësuar Drejtor pranë kompanisë ILIRIADA.

Administrator I kompanisë është Gazment Kuliçi lidhje familjare e Elsa Metaliaj (Kuliçi), pra brenda rrethit familjar të pronarit të kompanisë 4 A-M.

Gjatë investigimit PLUG ka gjetur se vetë Eduart Tahiraj ne vitin 2018 ka qënë punonjës i kompanisë 4 A-M.

Sipas këtij vendimi të KPP me subjekt ankimues 4 A-M shpk në faqen 8 të vendimit rezulton se kjo kompani ka dorëzuar dokumentacionin se shtetasi Eduart Tahiraj ishte punonjës i tyre me profilin “SPECIALIST PËR PUNIME NË LARTËSI”

Rezulton se kompania 4 A-M nuk është vetëm vetë shumë e suksesshme në përfitimin e fondeve publike, por të suksesshëm janë edhe specialistët e saj. Me kompaninë e blerë, punonjësi i 4 A-M rezulton përfitues i miliona eurove tendera publik.

Specialisti Tahiraj me kompaninsë ILIRIADA kanë fituar disa kontrata publike:
REF-82809-12-22-2020
Bashkia Kamëz
Ndërtimi i rrjetit KUZ dhe furnizimi me uje i zones Valias i Ri
633.061.314 lekë
ILIRIADA & 4-AM
REF-36888-07-21-2022

Bashkia Krujë
Riforcimi i njesive te banimit ne ndertesa(pallat), te cilat do te rikonstruktohen apo riparohen ne kuader te procesit te rindertimit (Programi i Rindertimit)
497.093.331 lekë
ILIRIADA & ARKONSTUDIO
REF-83477-12-30-2020’

Bashkia Pogradec
Përfundimi i gjithë rrjetit të Kanalizimeve të Ujrave të ndotura në Njësinë Administrative Pogradec dhe Njësisë Administrative Bucimas”
783.315.997 lekë
ILIRIADA & 4-AM
REF-65460-07-14-2020

Autoriteti Rrugor Shqiptar
Mirëmbajtje me performancë të rrugëve Rajoni Jugor
160.971.702 lekë
ILIRIADA & GREEN FARM & 4-AM
REF-91077-03-25-2021

Autoriteti Rrugor Shqiptar
“Ndërtim i lidhjes së rrugës së Oroshit me rrugën e Kombit”
115.965.000 Leke
ILIRIADA & 4-AM
REF-80060-11-26-2020

Drejtoria Rajonale e OSSH Fier
Rikonstruksion i i kabinave
91.539.798 lekë
ILIRIADA & 4-AM
REF-78163-11-10-2020

Drejtoria Rajonale e OSSH Durres
Ndertimi i rrjetit TM 20kV
159.477.902 lekë
ILIRIADA & 4-AM
REF-72985-09-24-2020

Drejtoria Rajonale e OSSH Elbasan
Rikostruksion i rrjetit TU me kabell ABC ne Belsh
232.988.238 lekë
ILIRIADA & 4-AM

Posta Shqiptare
Rikonstruksion zyrash
55.000.000 lekë
ILIRIADA & 4-AM
REF-34473-06-27-2022

Sh.A Korporata Elektroenergjitike Shqiptare Tirane
Përditësimi i versionit të softëare të  sistemit operativ dhe hardëare në HEC Koman
223.500.000 lekë
ILIRIADA & DIVITECH

Kryesisht tenderat e marrë nga kjo kompani, por edhe në bashkëpunim me 4 AM dhe kompani të tjera, po pjesë e skemës, janë nga institucione në varësi të Belinda Ballukut, si dhe disa bashki të drejtuara nga socialistët.

Kjo kompani për periudhën 2019-2024 ka përfituar vetëm nga Bashkia Kamëz dhe Krujë ka përfituar 1 miliard e 172 milionë lekë. Por ka edhe shumë pagesa për prokurimet e tjera që nuk rezultojnë në thesar. Ndërkaq në total, tenderat publik të fituar nga Eduart Tahiraj janë në vlerën 2.9 miliardë lekë ose 29 milion euro dhe shumica në bashkëpunim po me punëdhënësin e e tij Ardit Metaliaj.

E nëse do ti hedhim një sy tenderave, pjesa  më e madhe e tyre janë pa garë e me flamur të kuq.  Sipas të dhënave nga bilancet, faturimi i kësaj kompanie për periudhën 2019-2023 është 2.2 miliardë lek dhe rezulton se kjo kompani ka si aktivitet, përfitimin e fondeve publike me ndihmën e 4 A-M shpk.

Edhe kjo kompani njësoj si MD GREEN ENERGY në korrik të vitit 2025 kalon në pronësi të 4 AM shpk.

Sipas të dhënave të pasqyruara në QKB, punonjësi Eduart Tahiraj i shet shefit Ardit Metaliaj 71 % të aksioneve për vlerën qësharake 850 euro, kur vetëm shifra e klientëve për tu arkëtuar në vitin 2024 është 3.6 milion euro.

Zinxhiri vijon me kompaninë koncesionare HENZ ENERGY. Aksionerë të kësaj kompanie janë SHQIPONJA-M me 43% të aksioneve, KLENIS 52% të aksioneve dhe ILIRIADA me 5 %. HENZ ENERGY u themelua në vitin 2009 dhe përfitoi nga Ministria e Energjitikës kontratën koncensionare për ndërtimin e hevece DARS 1, 2 DHE 3. Në shkurt të vitit 2018 pasi ILIRIADA blihet nga aksionerët e rinj, ndyshojnë edhe kuotat në kompaninë koncensionare. Nga 5 %,  ILIRIADA tashmë do të zotërojë 92% të aksioneve në kompaninë koncesionare, KLENIS tashme do të zotërojë vetëm 8%.

Pikpyetje të mëdha ngrihen edhe për shkak të vlerës qesharake të blerjes së aksioneve, për vetëm 87 mijë lekë. Ky veprim nuk ka asnjë llogjikë ekonomike pasi deri në atë kohë ishin investuar rreth 90 milionë lekë për ndërtimin e hidrocentralit e mbi të gjitha ndryshe nga shitja e parë e aksioneve, për këtë shitje ka dyshime se nuk është marrë miratimi nga Ministria e Energjitikës pasi nuk cilësohet në kontratë. Pasi në skenë futet Eduard Tahiraj, pronar i ILIRIARDA-s dhe punonjës i 4 AM, në vitin 2018 vlera e investimit 10-fishohet dhe shkon në 832 milionë lekë. Në vitin 2019, tek HENZ ENERGY del në skenë edhe një emër shumë i përfolur në skandalet korruptive të 5D, por tashmë edhe në 5B, Redi Molla.

Në datën 4.12.2019 Selim MOLLA, babai i REDI MOLLA 5D, blen nga ILIRIADA 7% të aksioneve për vetëm 7000 lekë. Dhe fill pasi kësaj vlera e invetimit shkon në rreth 900 milionë lekë, dhe kompania deklaron për herë të parë të ardhura. Në vitin 2021 kompania regjistron një barrë siguruese nga ku mësojmë të dhënat se kontrata koncensionare është ndryshuar në shtator të vitit 2018 vetëm 7 muaj pasi aksioner bëhet punonjësi i kompaninsë 4 A M.  Në vitin 2020 kompania deklaron faturim 193.000.000 lekë. Po në 2021 adresa kryesore ndryshohet nga Pallati 4-AM te kompleksi SQUARE 21.

Në dhjetor të vitit 2021 Selim Molla vendos të revokoj kontratën e blerjes së aksioneve dhe të largohet nga kompania. Gjurma e përfshirjes së Selim Mollës, hap një tjetër drejtim po aq të mbushur me skandal. Ndërsa me këtë kompani, Selim Molla kryete blerje e shitje aksionesh, Drejtoria e Ujësjellës kanalizimeve, e drejtuar nga Redi Molla, shndërrohet në një minierë ari për përfitimin e tenderave nga kjo kompani. Por jo vetëm, nga Ujësjellës kanalizimet, 4 A-M ka fituar disa tendera në vlerë disa miliona euro, direkt nga Bashkia e Tiranës, përfshire dhe 2 tendera në bashkëpunim me kompaninë 5 D, për demolimin e pallateve pas tërmetit në zonën e 5 Majit.

Në total, 4 A M në këtë periudhë ka përiftuar mbi 13 milionë euro nga Ujësjellës Kanalizimet dhe nga Bashkia Tiranë, e shumë prej tyre janë pa garë e me flamur të kuq. (Ilustrohet me fotot e tenderave)

Nga investigimi i kompanisë koncesionare, nuk jepen të dhëna se kush i ka kryer punimet ndërtimore në bilancet e Henz Energy. Por kjo kontratë rezulton të jetë amenduar disa herë. Pasi blihet nga punonjësi i 4-AM, Damian Gjiknuri amendon sërish kontratën pasi ndryshohet projekti dhe më pas KKT e drejtuar nga Edi Rama miraton gjithashtu rishikimin dhe shtyrjen e afateve për lejen ekzistuese të HEC Darsi 1 dhe 2 në përroin e Darsit në Klos nga Henz Energy shpk.

/Emisioni Plug