germannavy04

Një grup vendesh evropiane, me në krye Gjermaninë dhe Britaninë e Madhe, po diskutojnë plane për të forcuar praninë e tyre ushtarake në Groenlandë, me qëllim që t’i dërgojnë një sinjal presidentit amerikan Donald Trump se Europa e merr seriozisht sigurinë në rajonin e Arktikut. Lajmi raportohet nga Bloomberg News.

Sipas burimeve të njohura me planet, Gjermania pritet të propozojë krijimin e një misioni të përbashkët të NATO-s për mbrojtjen e zonës arktike, në një përpjekje për të rritur koordinimin dhe sigurinë në këtë rajon strategjik.

Zhvillimi vjen pasi presidenti amerikan Donald Trump deklaroi të premten se Shtetet e Bashkuara duhet të sigurojnë kontrollin mbi Groenlandën për të parandaluar që Rusia ose Kina ta “marrin” atë në të ardhmen. Trump ka pohuar në mënyrë të përsëritur se anije ruse dhe kineze po operojnë pranë Groenlandës, pretendime që janë mohuar nga vendet skandinave.