Ka përfunduar protesta kombëtare e thirrur nga Partia Demokratike, këtë të shtunë që u shoqërua me tensione të shumta.
Protesta nisi me himnin kombëtar. Fjalën e morën disa demokratë, që më pas pasoi në deklaratën e mbajtur nga kreu i PD-së, Sali Berisha.
Fillimisht Berisha pati një mesazh për të gjithë qytetarët.
“Të nderuar drejtues të PD-së, partive aleate, të nderuar deputetë të pranishëm në këtë protestë. Vëllezër e motra, do ta nis këtë fjalë me një mesazh, që këtë javë, të tmerruar nga protesta jonë e kaluar, mediat e qeverisë bënë gjithçka ta vendosin në harresë. Mesazhi im është ky. Sot ne jemi në kilometrin e fundit, me ndihmën e Zotit, asgjë nuk do të na ndalë drejt fitores sonë. Sot ne jemi pranë triumfit të madh. Shumëkujt triumfi mund t’i duket ende larg, kur sheh udhëkryqin në të cilin ndodhet Shqipëria. Por miqtë e mi, opozita që kemi bërë së bashku vitet e fundit ka qenë jo e lehtë. Një kalvar maratonë e mbushur me dhunën e narkoshtetit, presione dhe izolime orvelliane ndaj nesh por dhe një qëndresë stoike. Sakrifica të dhimbshme ndaj nesh”,tha Berisha.
Berisha gjatë fjalimit të tij përpara protestuesve u shpreh se diktaturat nuk ikin me votë, por me revolta.
“Sot shumica e shqiptarëve e ka të qartë se Edi Rama nuk ikën me votë, diktaturat nuk ikën me votë, por ato ikin, shemben, me revoltë dhe vetëm me revoltë popullore dhe ja ku jemi ne sot”, u shpreh kryedemokrati.
Ai përsëriti akuzat ndaj qeverisë së kryeministrit Edi Rama duke thënë se “sot shumica e shqiptarëve e ka të qartë se Edi Rama kryeson organizatën kriminale më të rrezikshme në Europë.”
Ky fjalim, pasoi me kërkesën e kryedemokratit për një qeveri teknike.
“Sonte është thirrja e madhe, është ora jonë të bashkohemi për të përmbysur këtë qeveri. Për të krijuar një qeveri teknike, për zgjedhje të reja, për interesin kombëtar, për familjen shqiptare…”, tha Berisha duke shtuar se kjo është e vetmja zgjidhje për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Menjëherë pas përfundimit të fjalës së Berishës, protestuesit hodhën molotovë e fishekzjarre drejt godinës së Kryeministrisë, gjë që shkaktoi tensione dhe largimi i tyre u bë përmes autobotëve me ujë dhe gazit lotsjellës nga blutë.
Molotovët sollën gjithashtu dhe lëndimin e disa protestuesve si dhe të disa oficerëve të cilët morën ndihmën e parë mjekësore, por nuk u raportua për dëmtime të rënda.
Protesta më pas u zhvendos nga Kryeministria përpara godinës së Parlamentit të Republikës së Shqipërisë.
Sakaq, lidhur me këto incidente janë shoqëruar disa protestues, për të cilët PD kërkoi lirimin e tyre të menjëhershëm.
Sali Berisha deklaroi nga selia bli se protesta ia arriti qëllimit.
“Plotësisht. Beteja me diktaturën nuk është një ndeshje futbolli, jo. Mos e merrni kështu. Beteja me diktaturën është një qëndresë e vazhdueshme. Është një betejë e pandërprerë. Është një betejë, të cilën të pamposhturit opozitarë, ata që bëjnë të pamundurat, të mundshme, do ta fitojnë”, tha ai.
Lidhur me protestën e rashës, Berisha u përgjigj:
“Do e njoftojmë protestën e radhës dhe variantet e saj. Por ne tani jemi në fushë betejë dhe absolutisht nuk ndalemi gjer në rrëzimin e tij.”



