IMG_7653

Një denoncim ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania nga një punonjës policie në Drejtorinë Vendore të Policisë Berat, i cili ngre akuza për trajtimin financiar të efektivëve pas kryerjes së shërbimeve me orar të zgjatur.

Sipas denoncimit, gjatë vitit 2024 punonjësit e policisë në këtë drejtori kanë punuar për rreth tre muaj rresht me orar 12-orësh, me urdhër zyrtar të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë. Shërbimet janë kryer në kushte të vështira pune, me ngarkesë të lartë fizike dhe psikologjike, përfshirë temperatura të larta dhe zona të thella malore si Mali i Tomorrit.

Efektivët theksojnë se orët shtesë janë kryer realisht, kanë qenë të detyruara me urdhër institucional dhe nuk kanë qenë zgjedhje vullnetare e punonjësve. Megjithatë, pagesa e këtyre orëve është vonuar për disa muaj dhe është kryer vetëm në tetor 2024.

Situata, sipas denoncuesit, është përkeqësuar në dhjetor 2024, kur nga paga e secilit punonjës janë mbajtur rreth 400 mijë lekë të vjetra, me arsyetimin se ishin hedhur më shumë para sesa duhej.

Ndërkohë, në janar 2026, efektivëve u është paraqitur një tjetër listë, ku u kërkohet të firmosin për mbajtje të reja financiare, sërish rreth 400 mijë lekë të vjetra ose më shumë për çdo punonjës. Justifikimi i dhënë është se orari 12-orësh është jashtë Kodit të Punës dhe është konstatuar si shkelje nga auditi.

Në total, shuma që kërkohet të mbahet nga pagat e punonjësve arrin rreth 71 milionë lekë të vjetra, një barrë e konsiderueshme financiare për efektivët që kanë shërbyer në kushte të vështira dhe me korrektësi. /JOQ/