Vrasja e Renato Hoxhajt, roje parkingu në lagjen “Hajro Çakëri” në Vlorë, rezulton të jetë një atentat i organizuar nga një grup kriminal, me qëllim jo vetëm eliminimin e tij fizik, por edhe dërgimin e një mesazhi të qartë rivalëve: lufta mes dy klaneve në qytet vazhdon. Sipas hetimeve, krimi është kryer kundrejt pagesës dhe për realizimin e tij janë kontraktuar vrasës me kombësi rumune.
Prokuroria e Vlorës ka mbyllur hetimet dhe ka marrë të pandehur tre persona si organizatorë të ngjarjes: shtetasin rumun Daniel Cornea, i shpallur në kërkim, si dhe dy shqiptarët Kleanth Bylyku dhe Eris Mehmetaj, të cilët ndodhen aktualisht në burg. Dy të fundit akuzohen për “Sigurim të kushteve për të kryer vrasjen”, ndërsa Cornea përballet me akuzat “Vrasje me paramendim” dhe “Mbajtje pa leje të armëve të zjarrit”. Pas atentatit, Cornea është larguar drejt Greqisë, duke i shpëtuar arrestimit nga autoritetet shqiptare.
Fillimisht, ngjarja u konsiderua si një konflikt i mundshëm banal, por hetimet zbuluan një skemë të mirëorganizuar kriminale. Kamerat e sigurisë fiksuan një atentator të maskuar dhe me trup të rëndë, ndërsa gjurmimi i një automjeti të dyshimtë çoi në identifikimin e personave të përfshirë. Hetuesit zbuluan se Hoxhaj, përveç punës si roje parkingu, shërbente edhe si roje pranë banesës së një eksponenti të njohur të krimit të organizuar në Vlorë, me inicialet G.S. Sipas policisë dhe prokurorisë, vrasja lidhet pikërisht me konfliktet e këtij të fundit. Çështja tashmë pritet t’i kalojë për gjykim Gjykatës së Vlorës, ku tre të pandehurit do të përballen me drejtësinë.



