Anëtarësimi i Shqipërisë në SEPA (Single Euro Payments Area) ka sjellë një ulje të konsiderueshme të kostove të transfertave për Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut.
Banka e Shqipërisë deklaroi se koso për të transferuar 5 mijë euro është ulur me 10 herë krahasuar me një vit më parë. Nëse vitin e kaluar të transferojë 5 mijë euro duhet të paguaje 0.76 për qind të shumës së transferuar ose 38 euro, këtë vit kjo shifër ka rënë në 0.08 për qind ose 4 euro.
Për transfertat në shuma më të mëdha, ulja e kostove është edhe më e fortë. Sipas BSH, e cila referon një raport të Bankës Botërore, për transfertat 20 mijë euro, komisioni i dërgimit është ulur nga 0.47 për qind që ishte një vit më parë, në 0.02 për qind.

“Kjo është një rënie dramatike e kostove dhe një përfitim i drejtpërdrejtë për qytetarët dhe bizneset që kryejnë pagesa ndërkufitare në euro. Vlerësohet se gjatë vitit të parë ekonomia shqiptare do të kursejë rreth 70 milionë euro nga reduktimi i kostove të transaksioneve nëpërmjet SEPA-s,” deklaron BSH.
Çfarë është SEPA?
SEPA, ose Zona Unike e Pagesave në Euro, përfshin 41 shtete, mes tyre edhe Shqipërinë. Vendet anëtare janë të detyruara të kryejnë dhe të pranojnë pagesa në euro për individë, biznese dhe institucione, brenda dhe mes vendeve të zonës, me të njëjtat kushte dhe rregulla si për një pagesë kombëtare në euro.
Shqipëria u bë pjesë e SEPA-s në vitin 2024, pas një procesi harmonizimi rregullator, përditësimi të infrastrukturës dhe testimesh teknike, si edhe vendimit për të ulur komisionet bankare për pagesat në euro.
Me hyrjen në fuqi të marrëveshjes më 7 tetor të vitit 2025, një transfertë elektronike në euro nga Tirana në Bruksel përpunohet dhe kushton njësoj si një pagesë në euro nga Tirana në një qytet tjetër të vendit.



