Autori i sulmit të rëndë me armë zjarri në Krakov të Polonisë, ku humbën jetën gjashtë persona, ka ndërruar jetë në spital. I riu i identifikuar në mediat lokale si Michal O, ishte plagosur në një shkëmbim zjarri me policinë dhe ndodhej në gjendje kritike në spital.
Prokurorët polakë kishin hapur një hetim për terrorizëm pasi Michal.O hapi zjarr më 7 nëntor, duke vrarë gjashtë persona dhe duke plagosur 17 të tjerë, në një sulm që tronditi një vend që konsiderohej më i sigurt se shumë nga fqinjët e tij evropianë. Policia konfirmoi se tre personat e gjetur të vdekur në shtëpinë e personit të armatosur pas sulmit ishin babai i tij, 53 vjeç, nëna, 52 vjeçe dhe motra, 21 vjeçe.
Pesë nga të plagosurit janë shtetas të huaj nga Britania, Austria, Gjermania, Portugalia dhe Rusia. Midis të plagosurve ishin edhe dy oficerë policie, njëri prej të cilëve në gjendje të rëndë.
Sipas mediave polake, 25-vjeçari mbërriti në shesh me një automjet tip Subaru të zi, pa targa, dhe hapi zjarr ndaj kalimtarëve me një pushkë gjysmëautomatike të tipit AR-15. Dëshmitarët thanë se ai ishte i veshur me rroba kamuflazhi ushtarake dhe se të shtënat u dëgjuan në disa momente dhe në zona të ndryshme.
Ministri i Brendshëm polak, Marcin Kierwinski, deklaroi se gjithçka tregonte se autori kishte pasur bindje “shumë radikale” dhe ishte “i magjepsur nga ideologjitë e ekstremit të djathtë”. Këto deklarata shkaktuan reagime nga partia nacionaliste dhe konservatore PiS, e cila kërkoi që ministri të paraqiste provat ku ishte mbështetur.
Sulmi ka tronditur ndjenjën e sigurisë në Poloni, një vend që deri më tani konsiderohej më i sigurt se shumë shtete të tjera të Evropës Perëndimore. Ngjarja ka shtuar shqetësimet e qytetarëve për përhapjen e ideve ekstremiste dhe dhunës, veçanërisht pas disa incidenteve të tjera të rënda të ndodhura në vend gjatë javëve të fundit.



