Komisioni Europian tha të mërkurën se ka propozuar të hapë negociatat për të eliminuar tarifat shtesë të roaming-ut me Shqipërinë, Bosnjën dhe Hercegovinën, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë.
Marrëveshjet me vendet e Ballkanit Perëndimor për t’i integruar ato në regjimin “Roam Like at Home” të Bashkimit Europian do t’u lejojnë udhëtarëve midis bllokut dhe rajonit të bëjnë thirrje, të dërgojnë mesazhe dhe të përdorin të dhëna celulare me tarifa vendase, tha Komisioni në një njoftim për shtyp.
Propozimi synon të zgjerojë dhe formalizojë marrëveshjet ekzistuese vullnetare të roaming-ut midis disa operatorëve celularë të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, të cilët tashmë ofrojnë tarifa të reduktuara të roaming-ut për udhëtime midis dy rajoneve.
Përveç kësaj, qytetarët e Ballkanit Perëndimor përfitojnë nga tarifa më të ulëta kur udhëtojnë brenda rajonit sipas marrëveshjes rajonale të roaming-ut, e cila hyri në fuqi në vitin 2019.
Komisioni gjithashtu vuri në dukje se propozimi është një shembull konkret i qasjes së BE-së ndaj integrimit gradual përpara anëtarësimit në BE, siç përcaktohet në Planin e Rritjes 2023 për Ballkanin Perëndimor.
Sapo të marrë miratimin e Këshillit për propozimin e tij, Komisioni do të negociojë marrëveshje dypalëshe me secilin vend në rajon.
Në tetor, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se BE-ja këtë vit do të heqë tarifat shtesë të roaming-ut me Shqipërinë dhe Malin e Zi.



