Ka hallexhinj, që ndërtojnë gardhe pa leje dhe arrestohen. Ka të fortë, që ndërtojnë pa lejë kulla dhe nuk i gjen asgjë. Por ka dhe banka, që ndërtojnë pa leje.
Në pjesën e pasme që lidh Rrugën e Kavajës me Rrugën e Durrësit, në një lagje autoktone tiranase e në mes të kryeqytetit, Raiffeisen Bank e ktheu hapësirën publike dhe trotuarin në një strehë për kondicionerët e zyrave.
Kjo situatë në plot 70 m2, sipas IMT, është ndërtuar pa leje, e pikërisht nga një institucion që ligjin dhe lejen do duhet t’i ketë të shenjta. Pra, banka.

Ndërtimi pa leje është konstatuar nga Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit Tiranë. Ky institucion, në përgjigje të ankesave të banorëve, konstatoi zaptimin dhe ndërtimin e paligjshëm nga Raiffeisen Bank, e gjobiti dhe i kërkoi largim të menjëhershëm dhe kthim të trotuarit në shërbim të publikut.
Por banka, nga ana e saj, e refuzoi këtë vendim, duke trokitur në gjykatë. Pak javë më parë, gjykata i ka dhënë të drejtë IMT-së, duke detyruar Raiffeisen të paguajë gjobën e vendosur nga IMT.
Ajo që mbetet shumë e habitshme është se si këtë situatë nuk e panë satelitët Albania 1 dhe 2, si dhe Policia e Shtetit, Policia Bashkiake e shumë institucione publike, duke toleruar thuajse një geto me hekura, gjenerator dhe kondicionerë që ua nxinë jetën banorëve.Weblajm



