Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se një ndërhyrje me trupa tokësore në Iran nuk është pjesë e planit aktual ushtarak, por kjo mundësi nuk përjashtohet.
Trump tha se Irani është “tigër prej letre”.
Ai nuk përjashtoi mundësinë e dërgimit të forcave speciale për të marrë uraniumin e pasuruar. “Të gjitha opsionet janë mbi tavolinë. Të gjitha”, shtoi Trump në një intervistë për ABC.
Sipas administratës amerikane, operacionet kundër Iranit për momentin janë të përqendruara në një fushatë ajrore me objektiv goditjen e infrastrukturës ushtarake dhe strategjike të vendit. Zëdhënësja e Shtëpia e Bardhë, Karoline Leavitt, deklaroi në një intervistë për Fox News se presidenti amerikan nuk dëshiron të heqë asnjë opsion nga tavolina, duke lënë të hapur mundësinë e veprimeve të tjera, nëse situata në rajon përshkallëzohet më tej.
Ndërkohë, tensionet në Iran janë rritur edhe më shumë pas vdekjes së liderit suprem të vendit, Ali Khamenei, i cili sipas raportimeve u vra në një sulm ajror izraelit në Teheran disa ditë më parë. Pas këtij zhvillimi, në vend ka nisur procesi për zgjedhjen e udhëheqësit të ri suprem, por disa figura të larta të klerit iranian kanë kritikuar vonesën në shpalljen e pasuesit. Anëtarë të Asamblesë së Ekspertëve, organi prej 88 klerikësh që ka autoritetin për të zgjedhur liderin suprem të Republikës Islamike, kanë kërkuar që procesi të përshpejtohet, për të shmangur paqartësinë politike në vend.
Ajatollahu Abdullah Kayvani ka bërë thirrje që shpallja e liderit nga ekspertët të bëhet sa më shpejt, ndërsa ajatollahu Javad Jàfari e cilësoi vonesën si një çështje të ndjeshme dhe të padëshiruar për popullin iranian. Sipas raportimeve të CNN, disa ekspertë besojnë se vonesa mund të lidhet me vështirësitë për të mbledhur fizikisht anëtarët e asamblesë, për shkak të kërcënimeve për sulme të tjera ajrore në vend.
Nga ana tjetër, përfaqësuesi tjetër i Asamblesë, Rahim Tavakol, ka deklaruar se anëtarët e këtij institucioni e kanë përmbushur detyrën e tyre dhe se së shpejti do të shpallet zyrtarisht pasuesi i Khameneit. Juristi i Universitetit të Teheranit, Mohsen Borhani, ka theksuar se sipas Kushtetutës iraniane dhe rregullave të vetë Asamblesë, të paktën dy të tretat e anëtarëve duhet të marrin pjesë fizikisht në konsultime që vendimi për liderin e ri të jetë ligjërisht i vlefshëm.



