-640-0-karabiniere-1693322828

Një shqiptar 37-vjeçar është arrestuar në Bergamo, Itali, pas pesë muajsh arratisjeje, për një grabitje të dështuar në shtëpinë e një 85-vjeçari.

Ngjarja kishte ndodhur në tetor 2025 në Arzago d’Adda, ku ai dhe një bashkëpunëtor u kapën në flagrancë duke tentuar të hapnin derën e banesës së të moshuarit.

Gjatë ndërhyrjes së karabinierëve, situata degjeneroi në një përplasje të dhunshme. Dy të dyshuarit përdorën sprej irritues dhe mjete të forta, duke plagosur rëndë një efektiv, i cili përfundoi në spital me nofull të thyer, traumë në kokë dhe dëmtime që kërkuan 30 ditë mjekim.

Ndërsa bashkëpunëtori i tij u arrestua menjëherë, 37-vjeçari me inicialet N.A. arriti të arratisej. Pas hetimeve intensive dhe analizimit të kamerave të sigurisë, policia e lokalizoi dhe e arrestoi në banesën e tij, ku iu gjetën bizhuteri ari dhe një armë elektrike e mbajtur në mënyrë të paligjshme.

I njohur për precedentët e mëparshëm dhe nën një masë alternative, ai u dërgua në burgun e San Vittore, ndërsa ndaj tij janë shtuar edhe akuza të tjera.