-640-0-capture-147-1773854292

Një fëmijë 5 vjeçar, i cili dyshohet se është keqtrajtuar nga prindërit e tij, i është nënshtruar intervenimit kirurgjik në nivel të shputave nga ekipet specialistike të Ortopedisë dhe Kirurgjisë Plastike në Kosovë.

“Pas përfundimit të intervenimit, pacienti është transferuar në Kujdesin Intensiv Pediatrik, ku po vazhdon trajtimin, mbikëqyrjen dhe përkujdesjen e mëtejme postoperatore”, thuhet në njoftim, ndërsa nuk jepen detaje më të hollësishme për shkak të ndjeshmërisë së rastit.

Dy prindër janë arrestuar dhe u është shqiptuar masa e paraburgimit prej një muaji. Përveç që dyshohet se kanë keqtrajtuar fëmijën e tyre 5-vjeçar, dyshohet edhe për kequshqyerje.

Drejtori i departamentit për Politikë të Shërbimeve Sociale dhe Familjare, Blerim Shabani, tha se janë në pritje të raportit preliminar.

“Ka filluar procesi i vlerësimit të rrethanave mbi përmbushjen e detyrimeve për sa i përket çështjeve të menaxhimit të rastit në fjalë. Nuk do të doja që të shkoja në informacione që janë të tipit të hamendësimeve, sepse kjo do të krijonte dilema edhe për opinionin publik, mirëpo po presim edhe raportin kronologjik dhe normalisht po presim edhe raportin preliminar nga inspektimi lidhur me çështjet e trajtimit të rastit të fëmijës”.

Shteti po merret edhe me 6 fëmijët e tjerë të kësaj familjeje.

Shabani tha se rastet e tilla u përkasin ekskluzivisht komunave t’i trajtojnë.

Në Republikën e Kosovës janë gjithsej 38 Qendra për Punë Sociale, ku në secilën komunë ka nga një Qendër për Punë Sociale, e cila menaxhohet në mënyrë të drejtpërdrejtë nga komuna.