Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka reaguar pas përfundimit të protestës së opozitës, duke shprehur qëndrimin e tij kritik ndaj mënyrës se si u zhvillua aksioni.
Përmes një postimi në platformën X, ai thekson se protesta nuk prodhoi efektin e pritur për ndryshim politik, duke shtuar se me këtë qasje, sipas tij, kryeministri Edi Rama nuk mund të rrëzohet.
Postimi i Salianjit:
Si gjithmonë lidershipi premtoi rrëzimin e Ramës, por prodhuan vetëm një xhiro në bulevard. Kështu jo vetëm që nuk rrëzohet Edi Rama, por në fakt po e mbahet në këmbë. Fajin për korrupsionin e ka Rama dhe jo qytetarët, bizneset dhe rrugët e Tiranës!
Protestuesit kundër Ramës janë heronj. Edhe pas 13 vitesh, ata vazhdojnë të qëndrojnë, të rezistojnë dhe të reagojnë përballë një qeverisjeje të degraduar dhe thellësisht të korruptuar si ajo e Edi Ramës.
Policia e Ramës sillet joprofesionale dhe mbyt me gaz qytetin por fatkeqësisht, lidershipi i opozitës është pa strategji, pa vizion dhe i zhytur në premtime fantazmagorike e në delir politik. Pa asnjë lidhje me pritshmëritë reale të shoqërisë. Të trembur vetëm nga humbja e karrigeve të tyre, ata as dinë dhe as duan të dëgjojnë zërin e demokratëve që kërkojnë ndryshim të vërtetë që mundëson largimin e Ramës!
Qytetarët e Tiranës nuk kanë pse mbajnë asnjë kosto shtese prej keqqeverisjes, as gazin as molotovët!
22 Marsi është dita e pluralizmit shqiptar. Dita e kthesës historike pas 45 vitesh vrasjesh, persekutimi dhe shtypjeje të ndërgjegjes. Institucioni politik që krijuan shqiptarët e lirë dhe të guximshëm ishte Partia Demokratike e Shqipërisë: partia e rinisë, e intelektualëve të lirë, e ndryshimit dhe e shpresës europiane.
Kjo është simbolika e 22 Marsit. Kjo datë nuk mund dhe nuk duhet t’i shërbejë kultit të personalitetit të askujt.
Sepse Partia Demokratike nuk u krijua për të mbajtur karrige, por për të rrëzuar regjime. Dhe kush e ka harruar këtë, është bërë pjesë e problemit, jo e zgjidhjes.
Zgjidhja është e qartë: gara, vota dhe zgjedhjet. Vetëm kështu Partia Demokratike mund të rikthehet fituese!



