Qeveria do të vendosë paga referencë për mjekët, infermierët dhe të gjithë punonjësit e sektorit shëndetësor privatë. Lajmin e ka bërë publik ministri i Financave, Petrit Malaj, gjatë një dalje publike bashkë me drejtorin e Tatimeve dhe atë të Doganave.
“Vjet kemi ndërmarrë kontrolle për sektorët e ndërtimit, turizmit dhe hidrokarbureve dhe këto nisma kanë dhënë rezultate konkrete. Kemi rritje të ndjeshme të tatimit mbi të ardhurat personale të paguar dhe të kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Sektori mjekësor dhe ai i kujdesit personal dhe estetik janë identifikuar me risk të lartë dhe do të jenë objekt i punës së administratës tatimore në muajt në vijim”, deklaroi kreu i Financave.
Drejtori i përgjithshëm i Tatimeve, Ilir Binaj, tha se sektori i shërbimeve shëndetësor numëron më shumë se 10 mijë biznese me mbi 45 mijë të punësuar. Sipas tij, të gjitha këto subjekte do të kalojnë në kontroll të imët, sipas modelit që u ndoq me ndërtimin.
“Do të kryejmë kontrolle për tatimpaguesit që do të vijojnë në shërbimin mjekësor, për rreth 10 mijë tatimpagues dhe 45 mijë të punësuar. Më 1 prill do të publikohen pagat indikative. Më pas do të vijojnë kontrollet edhe për shitjen e produkteve bujqësore”, u shpreh ai.
Paralelisht administrata tatimore do të ndjekë edhe biznesin e qirave afatshkurtra, një tjetër sektor që sipas kreut të Tatimeve ka informalitet të lartë.
“Në sektorin e turizmi është fokuar në analizimin e të dhënave të marra nga në Booking ku kishte 7,000 prona për 80 mln euro të ardhura nga rezervimet dhe për 8,500 individë dhe biznese në AirBnb me 40 mln euro të ardhura nga rezervimet. Do të kryejmë kontrolle për tatimpaguesit që nuk kanë deklaruar korrektësisht të ardhurat,” u shpreh Binaj. /kapitali



