Kryeministri Edi Rama zhvilloi një bashkëbisedim me operatorët turistikë të Vlorës, duke diskutuar mbi sezonin turistik, rritjen e cilësisë së shërbimeve, mbështetjen për sipërmarrësit e turizmit dhe promovimin e Vlorës si një destinacion kyç i turizmit shqiptar në fokusin global.
Gjatë takimit, Rama theksoi rëndësinë e një qasjeje strategjike në vendosjen e çmimeve dhe zhvillimin e investimeve turistike.
“Çmimet nuk i vendos qeveria dhe nuk ka asnjë instrument për t’i kontrolluar ose imponuar ato, çmimet i vendos tregu. Por, në këtë industri, çmimet duhet të përcaktohen sipas një vizioni strategjik për fatin e investimeve tuaja. Nuk mund të veprosh si i ‘dehur’ nga turizmi. Nuk mund të ofrosh shërbime të dobëta dhe të vendosësh çmime të larta. Një strategji afatmesme dhe afatgjatë është kyçe për të siguruar fitime të qëndrueshme dhe jo vetëm për momentin”, tha Rama.
Rama vuri theksin edhe te nevoja për rritjen e kapaciteteve të parkimit në të gjithë territorin e vendit, ku bëri të ditur se në Vlorë pritet të nisin së shpejti dy projekte të rëndësishme parkimi, të cilat do të ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e infrastrukturës urbane dhe menaxhimin e fluksit të automjeteve, sidomos gjatë sezonit turistik.
Sipas tij, një parkim i madh do të ndërtohet pranë zonës së universitetit në Skelë, ndërsa një tjetër te sheshi i madh i Lungomares. Të dyja projektet së bashku do të ofrojnë rreth 600 vende parkimi.
“Na duhen më shumë parkime në të gjithë territorin e vendit. Dy parkime të mëdha nisin së shpejti në Vlorë, një pranë universitetit në Skelë dhe një te sheshi i madh i Lungomares, që do të akomodojnë rreth 600 makina së bashku. Është një investim shumë i dobishëm dhe fitimprurës”, tha Rama.
Ai u bëri thirrje sipërmarrësve që të mos fokusohen vetëm te hapësirat për pallate, por të shohin edhe mundësitë në sektorin e parkimeve, duke e konsideruar atë si një mundësi reale zhvillimi dhe fitimi.
“Mos shihni vetëm hapësira për pallate, por edhe në këtë drejtim, pasi do t’ju kthehet në një risi të madhe për qytetin. Parkimet mund të jenë nëntokë ose mbi tokë, me arkitekturë të bukur dhe tërheqëse. Ka hapësira të shumta në Vlorë që mund të shfrytëzohen dhe të sjellin të ardhura, duke i shërbyer qytetit”, tha Rama.
Kryeministri gjithashtu ndau të dhëna mbi rritjen e vizitorëve në qytet sipas vendeve të origjinës, duke treguar potencialin e madh të Vlorës.
“Sot po ju them çfarë shifrash ka marsi tani, në çdo emër të vendeve prej nga vijnë turistët. Vizitorët nga Italia janë rritur me 11%, vizitorët nga SHBA janë rritur me 45%, ato nga Gjermania janë rritur me 23%, vizitorët nga Mbretëria e bashkuar janë rritur me 22% , ato nga Spanja me 34%, ato nga Austria 20 %, vizitorët nga Norvegjia me 105%, vizitorët nga Belgjika me 4% dhe vizitorët nga Danimarka me 711% në krahasim me marsin e kaluar dhe këto janë të dhëna nga kufiri”, tha Rama.
Gjatë takimit u nënvizua se zhvillimi i qëndrueshëm i turizmit kërkon planifikim, investim cilësor dhe vizion afatgjatë për të maksimizuar përfitimet ekonomike dhe reputacionin e destinacionit.



