Prokuroria e Tiranës ka dalë me një njoftim zyrtar lidhur me goditjen e tre Call Centerave mashtrues në Tiranë që vepronin ndaj shtetasve të BE-së, duke premtuar rikuperim të parave të humbura në investime dhe investim në bursa fiktive.
Në total janë caktuar 9 masa sigurie, 7 arrest në burg, ndërsa për dy ndalim dalje jashtë vendit dhe detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore. Po ashtu, thekson Prokuroria, gjatë operacionit janë arrestuar në flagrancë 5 persona në ambientet e ushtrimit të aktivitetit të paligjshëm.
Prokuroria thotë se shtetasit Eduard Dalla, Mateo Hoxha, Tedi Agastra, Ledio Toçi, Xhoel Mekolli, Marsel Lami, Xhoji Hitaj, Aida Vokli., Ledjon Cenaj, K.D., E.H., E.T., B.B., K.B., K.Sh dhe A.K., mashtronin nëpërmjet aktivitetit të call-center-ave shtetas të ndryshëm të vendeve të Bashkimit Europian, duke iu shkaktuar humbje të mëdha financiare.
SKEMA E MASHTRIMIT
Sipas Prokurorisë, të akuzuarit vepronin të organizuar në grupe sipas gjuhëve (gjermanisht, anglisht dhe italisht), me struktura 6–8 agjentësh të mbikëqyrur nga drejtues. Operatorët kontaktonin qytetarë italianë, gjermanë dhe austriakë duke u premtuar rikuperimin e fondeve të humbura në investime online. Më pas i udhëzonin të hapnin llogari në platforma të rreme si “Coin Baze” dhe të kryenin një depozitë fillestare prej 500 euro.
Punonjësit kishin role të ndara, përdornin pseudonime dhe username, ndërsa përfitonin paga mujore rreth 800 euro. Hetimet tregojnë se këto struktura funksiononin si rrjete të organizuara me hierarki të qartë dhe aktivitet ndërkufitar, duke shkaktuar humbje që dyshohet se tejkalojnë 50 milionë euro, kryesisht në Austri dhe qytete të tjera europiane.
“Këto call-center-a funksiononin me një nivel të lartë organizimi, ndarje të qartë të detyrave dhe kontroll hierarkik, duke i ngjarë strukturave të bizneseve legjitime. Ky organizim profesional mundësonte mashtrime në shkallë të gjerë, ndërkufitare dhe dyshohet se kanë kryer mashtrim me shuma të mëdha në Vjenë dhe qytete të tjera në Austri nga periudha 15 qershor 2023 deri më 30 korrik 2024.”, thotë prokuroria.
Të huajt binin në kurth përmes reklamave të rreme me një personazh të famshëm, që i çonin në platforma mashtruese investimesh. Më pas, pasi depozitonin para, ato kalonin në kriptomonedha, ku T.A. dhe M.H. dyshohet se i kanë marrë dhe i kanë transferuar në adresa të tjera kripto, duke u konsideruar përfitues fundorë të parave.
“Të dëmtuarit zakonisht hyjnë në këto platforma mashtruese përmes një reklame të rreme të një personazhi të famshëm. Prokuroria identifikoi se shtetasit T.A. dhe M.H., gjatë vitit 2024 kanë marrë vlera të konsiderueshme në adresa Kripto dhe më pas i kanë transferuar në adresa të tjera Kripto. Këta dy shtetas janë përfitues fundor të kriptovalutave të këtyre Call Centerave.”, shton Prokuroria.
Pas gjurmimit të transaksioneve, u zbulua se kompanitë “IOTA Network”, “Victory Communication”, “Espiron Studio”, “Zeta Studio”, “Upstream creative” dhe “Koppa Network” janë të lidhura me njëra-tjetrën dhe dyshohen si fiktive, të përdorura si mbulesë për call center-at mashtrues.
Prokuroria thekson se gjatë kontrolleve u sekuestruan 891,735 euro cash, 443 kompjuterë, 238 telefona celularë, 6 laptopë, si dhe pajisje të ndryshme elektronike si HDD dhe DVR, që dyshohet se përmbajnë të dhëna të rëndësishme për hetimin.



