-640-0-kos-1773431018

Komisionerja për Zgjeriminn Marta Kos ka dhënë sinjale inkurajuese për ecurinë e procesit të anëtarësimit të vendeve kandidate, duke veçuar Shqipërinë si një nga rastet që po përparon në mënyrë të qëndrueshme.

Në një intervistë për BBC, Kos theksoi se Shqipëria po ecën mirë në procesin e integrimit evropian. Kjo deklaratë vjen në një moment kur zgjerimi i BE-së po rikthehet në fokus si një prioritet strategjik për stabilitetin dhe sigurinë e kontinentit.

Ajo gjithashtu nënvizoi se gjatë mandatit të saj si komisionere pritet të ketë anëtarësime të reja në Bashkimin Evropian, nëse vendet kandidate vijojnë me ritmin e reformave.

“Jam shumë e lumtur që qytetarët e Islandës do të vendosin në fund të gushtit nëse do të hyjnë në negociata për anëtarësim, pasi ata janë tashmë shumë të integruar në BE, në tregun e përbashkët dhe në zonën Schengen.

Kjo mund të jetë, nëse qytetarët thonë po, ndoshta procesi më i shpejtë ndonjëherë. Por nuk duhet harruar se kemi Malin e Zi, i cili është më i avancuari.

Kemi Shqipërinë, e cila po ecën mirë, si dhe Moldavinë. Pra, këto tre vende dhe ndoshta edhe Ukraina. Nëse ata shtyjnë përpara reformat, shpresoj që gjatë mandatit tim të kemi një shtet të ri anëtar”, tha Komisionerja Kos.

Shqipëria mbetet një histori progresi e rëndësishme për Ballkanin Perëndimor. Vlerësimet pozitive nga nivelet më të larta të institucioneve evropiane tregojnë se vendi është në një trajektore të qëndrueshme drejt integrimit të plotë.

Nëse reformat vijojnë me të njëjtin intensitet Shqipëria ka potencial real për të qenë ndër vendet që do të përfitojnë nga faza e re e zgjerimit të Bashkimit Evropian, duke afruar më shumë perspektivën e anëtarësimit të plotë.