collage-3-6

Pas më shumë se një muaji “pritjeje”, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Skënder Hita, nisi lëvizjet e para në kuadrin drejtues të uniformave blu. Megjithatë, emrat që ka përzgjedhur si njerëzit që do të çojnë para vizionin e tij për forcimin e organizatës, tregojnë se ai nuk duket se ka ndonjë ndryshim thelbësor nga paraardhësit e tij.

Për këtë, mjafton të përmendet një promovim-Erion Ahmeti. Rasti i tij është më specifiku ndër lëvizjet e deritanishme që ka firmosur kryepolici i vendit. Skënder Hita duhet ta ketë vlerësuar Ahmetin si “ajkën e ajkës” në Policinë e Shtetit, përsa kohë ka vendosur ta emërojë si pasardhësin e tij direkt në Drejtorinë e Fierit.

Në foto: Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Skënder Hita

Hita ishte kreu i Policisë së Fierit, para se ai të emërohej Drejtor i Përgjithshëm me firmën e kryeministrit Edi Rama, në 30 mars 2026. Vendin vakant ai e zëvendësoi menjëherë me zëvendësin e tij, Oliger Torba. Por, pas pak javësh, Hita vendosi të transferojë bashkëpunëtorin e tij në ngushtë në postin e zv.drejtorit të Tiranës.

Drejtoria e Fierit mbeti sërish pa drejtor dhe, për të plotësuar boshllëkun, Skënder Hita emëroi në atë detyrë Erion Ahmetin, një funksionar policie me shumë pikëpyetje në karrierën e tij.

Në foto: Erion Ahmeti, drejtori i ri i Policisë së Fierit

Pak muaj më parë, e konkretisht në fillim të nëntorit 2025, Ahmeti u shkarkua nga detyra e Drejtorit të Policisë Vendore të Korçës, pasi dyshohej se kishte neglizhuar një përplasje të fortë mes disa personave me pushtet në zonën e Devollit.

Ish-kryepolici Ilir Proda u kujdes ta përhapte gjerësisht njoftimin për shkarkimin e Ahmetit nga posti i Drejtorit të Korçës, duke tentuar të japë një mesazh të fortë edhe për të gjithë vartësit e tij të tjerë që do të kishin të njëjtin fat nëse nuk zbatonin ligjin.

Por, Proda “u dorëhoq” në shkurt 2026 dhe në vend të tij u emërua Skënder Hita, i cili, që në krye të herës, premtoi forcimin e integritetit të organizatës policore.

Nga fjalët, tek firmat, ka një diferencë shumë të madhe. Emërimi i Erion Ahmetit si kryepolic i Fierit, një qark problematik dhe me intensitet të lartë krimi, nuk pritet të sjellë ndonjë risi pozitive.

Në vitet 2020-2021, Erion Ahmeti ishte në postin e shefit të qarkullimit rrugor të Tiranës. Pasi në krye të Policisë së Shtetit u emërua Gledis Nano, oficer Ahmeti u largua nga kryeqyteti, drejt një qyteti verior, një lëvizje që brenda radhëve të uniformave blu konsiderohet si “degdisje” dhe ulje e rëndësishme në hierarkinë e brendshme.

Megjithatë, Erion Ahmeti e ridimensionoi veten gjatë periudhës që policinë e drejtonte Ilir Proda. Fillimisht u caktua në postin e drejtorit të komanduar të Elbasanit dhe më tej u emërua kreu i Policisë së Korçës.

Në foto: Ish-Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ilir Proda

Falë këtyre emërimeve, Ahmeti shihej si një prej bashkëpunëtorëve më të ngushtë të Prodës. Por, shkeljet e tij duket se ishin aq flagrante sa, edhe miku i tij, Proda, u detyrua ta shkarkonte me bujë dhe i dha një post “të padukshëm” në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë.

Pasi kaloi vetëm pak kohë nga “skandali i Devollit”, Erion Ahmeti rezulton se ia paska gjetur fijet edhe drejtorit të ri, Skënder Hita, i cili vendosi që ky të ishte funksionari që do t’i besonte drejtorinë e Fierit, struktura fatsjellëse për kreun e ri të Policisë së Shtetit. /boldnews