Seanca e sotme e Kuvendit të Shqipërisë është hapur me një minutë heshtje për dy fëmijët e ndjerë që humbën jetën dje gjatë një aksidenti tragjik që ndodhi në zonën e Spitallës në Durrës.
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, në fillim të fjalës së tij në Parlament u ndal te aksidenti tragjik.
“Të fillojmë të kuptojmë se si zbatohen ligjet tona. Nëse ne si Kuvend do mjaftohemi me heqjen e pikëve në patentë, kjo është e rëndë për ne. Po diskutoja edhe me kryetarin e Komisionit të Ligjeve…Zoti Manja më shpjegoi raste të tjera edhe në vende të tjera, përgjigja jonë do të jetë e menjëhershme sapo të kemi mundësinë të ndryshojmë Kodin”, u shpreh Balla, duke paralajmëruar ndërhyrje në Kodin e Qarkullimit Rrugor.
Kishte një apel për Policinë e Shtetit.
“Këta të fortët e lagjeve duhen bërë shembull të gjithë, nuk kanë përse të kenë fare patentë. Duhen kontrolluar mëngjes, drekë e darkë!”, tha ai.
Sa i takon akuzave të opozitës ndaj ministrit Ferit Hoxha, i quajti ‘sulme personale’, ndërsa debatoi nga foltorja me kreun e grupit të PD-së, Gazment Bardhi.
Kujtojmë që një mjet tip “Benz ML” i drejtuar nga Nikoll Radaçi, përplasi dje tre të mitur, ndërsa një i katërt i shpëtoi mrekullisht aksidentit.
Dy fëmijë humbën jetën menjëherë në vendngjarje, ndërsa fëmija i tretë u transportua në Spitalin e Traumës, ku tashmë ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Dyshohet se drejtuesi 57-vjeçar i makinës tip “Benz ML” ishte i dehur në timon.
Në lidhje me ngjarjen reaguan dje Presidenti Bajram Begaj, kryeministri Edi Rama, ministra, si dhe deputetë si të mazhorancës, ashtu edhe të opozitës.



