-640-0-4b667e0b3e8d9e80cc4b5b4ca79db527

Euronews Albania ka siguruar dokumentin zyrtar financiar të Eric Wendt, gjeneralit amerikan në pension i propozuar nga administrata amerikane për postin e ambasadorit të ri të Shteteve të Bashkuara në Shqipëri.

Dokumenti i publikuar nga Zyra Amerikane e Etikës Qeveritare zbulon detaje për pasurinë, investimet, aktivitetin profesional dhe profilin institucional të njeriut që pritet të marrë drejtimin e ambasadës amerikane në Tiranë.

Nga dokumenti rezulton se Eric Wendt nuk është diplomat karriere në kuptimin klasik, por një figurë me profil të fortë ushtarak dhe sigurie. Ai ka mbajtur poste të rëndësishme në strukturat amerikane të mbrojtjes dhe operacioneve speciale, ndërsa aktualisht vijon aktivitetin akademik në universitetin ushtarak detar amerikan.

Profili i tij lidhet ngushtë me strukturat e Aleancës së Atlantikut të Veriut dhe operacionet speciale amerikane në Europë, çka po interpretohet si një sinjal se Uashingtoni po e sheh Shqipërinë gjithnjë e më shumë si pikë strategjike në Ballkan.

Dokumenti tregon se Wendt zotëron dy llogari bankare me vlera nga 100 mijë deri në 250 mijë dollarë secila, ndërsa ka gjithashtu investime në fonde pensioni, fonde kursimi dhe aksione në kompani të mëdha amerikane.

Në listën e investimeve figurojnë emra të njohur të teknologjisë dhe energjisë si Tesla, NVIDIA, AMD, Cisco dhe Duke Energy. Pjesa më e madhe e investimeve rezulton e përqendruar në tregun amerikan dhe në fonde me risk të ulët, duke e paraqitur atë si investitor konservator dhe jo spekulativ.

Një nga detajet që bie më shumë në sy është fakti se Eric Wendt nuk deklaron asnjë detyrim financiar. Në seksionin e borxheve formulari shënon “asnjë”, çka do të thotë se nuk rezultojnë kredi, hipoteka apo detyrime të tjera financiare të raportueshme.

Po ashtu, në dokument nuk figurojnë pagesa nga kompani private të industrisë ushtarake, kontrata këshillimi apo të ardhura nga borde drejtimi dhe sektorë të tjerë privatë. Ky element konsiderohet me rëndësi për procesin e verifikimit etik që kryhet përpara miratimit të kandidaturës nga Senati amerikan.

Dokumenti zbulon gjithashtu se bashkëshortja e tij punon në një qendër jofitimprurëse për personat me probleme shikimi në Kaliforni, element që krijon një profil më social dhe humanitar për familjen e ambasadorit të ardhshëm amerikan.

Formulari është firmosur nga Eric Wendt në shkurt të vitit 2026 dhe më pas është miratuar nga zyrtarët amerikanë të etikës gjatë muajit prill. Sipas dokumentit, autoritetet amerikane nuk kanë konstatuar probleme apo konflikte interesi që mund të pengonin emërimin e tij në Shqipëri.

Përzgjedhja e një figure me eksperiencë të gjatë në operacionet speciale dhe sigurinë ndërkombëtare po shihet si tregues i rritjes së vëmendjes amerikane ndaj Shqipërisë dhe Ballkanit, në një kohë kur rajoni mbetet në fokusin e zhvillimeve gjeopolitike dhe të sigurisë.