Autoriteti i Konkurrencës ka vendosur një sërë detyrimesh ndaj Vodafone Albania dhe ONE Albania, pas përfundimit të hetimit të thelluar në tregun me pakicë të shërbimeve celulare.
Hetimi ka konstatuar rritje progresive dhe të përafërta të çmimeve, ngjashmëri të lartë mes paketave, pakësim të ofertave me çmime të ulëta dhe mangësi në dokumentimin e kostove që justifikojnë ndryshimet tarifore.
Për këtë arsye, Komisioni i Konkurrencës ka urdhëruar të dy operatorët të ndryshojnë disa nga praktikat aktuale të tregut.
Brenda 90 ditëve, Vodafone dhe ONE Albania duhet të ofrojnë paketa të posaçme dhe më të favorshme për pensionistët dhe studentët e moshës 18–23 vjeç.
Operatorët do të duhet gjithashtu të garantojnë që paketa më e lirë të jetë realisht e disponueshme edhe në pikat fizike të shitjes dhe jo vetëm përmes aplikacioneve apo kanaleve online.
Një tjetër ndryshim i rëndësishëm prek abonentët që përfundojnë kontratën.
Sipas vendimit, ata duhet të kenë të drejtë të kalojnë në një paketë më të lirë pa penalitete dhe pa pengesa të pajustifikuara.
Vodafone dhe ONE do të jenë të detyruara që çdo ndryshim në çmim, përmbajtje apo afat vlefshmërie të paketës t’ia komunikojnë individualisht abonentit të paktën 30 ditë përpara.
Po ashtu, çdo rritje çmimi duhet të mbështetet në analiza të dokumentuara të kostove, ndërsa dokumentacioni përkatës duhet të ruhet për pesë vjet.
Autoriteti kërkon edhe që paketat e reja të kenë diferencim real mes tyre, në mënyrë që konsumatori të ketë alternativa të vërteta zgjedhjeje.
Ndryshime do të ketë edhe te kontratat tip, të cilat duhet të marrin paraprakisht vlerësimin e Autoritetit të Konkurrencës për shmangien e klauzolave të padrejta.
Në kontratë duhet të përcaktohen qartë edhe procedura dhe afati për bartjen e numrit nga një operator te tjetri.
Vendimi nr. 1307, i datës 24 korrik 2026, synon të adresojë pikërisht problemet që lidhen me mungesën e informimit, vështirësinë për të zgjedhur paketa më të lira dhe kufizimin e ofertave ekonomike.
Detyrimet do të monitorohen për një vit dhe, në rast moszbatimi, Vodafone Albania dhe ONE Albania rrezikojnë penalitetet e parashikuara nga ligji./gazetajone



