Screenshot
Babai i 8-vjeçarit të plagosur në aksidentin tragjik të ndodhur dy ditë më parë në Durrës ka folur mes lotësh nga Spitali i Traumës në Tiranë, ku djali i tij po trajtohet pas plagëve të marra nga përplasja që u mori jetën dy fëmijëve të tjerë.
Në një lidhje direkte për emisionin “Opinion”, Ardian Meslani tha se vogëlushi ndodhet jashtë rrezikut për jetën, por po i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale në Spitalin e Traumës.
“Djali tani është jashtë rrezikut për jetën, jemi në mes të një ndërhyrjeje”, u shpreh ai.
Meslani tregoi se familja po kalon një gjendje tepër të rënduar psikologjike, ndërsa tha se edhe dy fëmijët e tjerë që ndodhen në shtëpi kanë nevojë për ndihmë psikologjike.
Ai deklaroi se familja nuk ka marrë asnjë mbështetje psikologjike nga institucionet.
“Jo fare absolutisht”, tha ai, kur u pyet nëse i janë ofruar psikologë për të ndihmuar familjen.
Një nga momentet më prekëse të rrëfimit ishte kur babai tregoi se djali i plagosur kërkon vazhdimisht shokët e tij, pa e ditur ende se ata kanë humbur jetën në aksident.
“Vetëm diçka më ka thënë, kërkon shokët e vet dhe thotë: erdhi makina me shpejtësi, na mori përpara”, rrëfeu Meslani.
Ai shtoi se familja nuk i ka treguar ende vogëlushit për fatin tragjik të dy fëmijëve të tjerë.
Për shoferin që shkaktoi aksidentin në gjendje të dehur, Meslani tha se e njihte dhe se kishte bërë disa denoncime për mënyrën e rrezikshme të drejtimit të automjetit.
“Të marrin telefonin ta shohin. Jo vetëm unë, por gjithë lagjia. Vinte një patrullë, kalonte, e shihte të parkuar dhe ikte”, deklaroi ai.
Ngjarja e rëndë ndodhi më 3 maj në Durrës, kur një 57-vjeçar në gjendje të dehur përplasi tre fëmijë, duke shkaktuar vdekjen e dy prej tyre dhe plagosjen e një tjetri.
Aksidenti shkaktoi reagime të forta publike dhe debate mbi sigurinë e fëmijëve në rrugë dhe hapësira publike. Çështja u diskutua edhe në Kuvend, ku mazhoranca paralajmëroi ndryshime në Kodin Penal, ndërsa Policisë së Shtetit iu kërkua vigjilencë më e lartë ndaj drejtuesve problematikë dhe personave që shkelin rregullat e qarkullimit rrugor.



