Komisioni i Konkurrencës ka përmbyllur një hetim të thelluar në tregun e sigurimit të jetës për kreditë bankare, pas sinjalizimeve për abuzime me pozitën dominuese dhe kufizim të zgjedhjes së lirë të klientëve. Hetimi, i cili fokusohej në mënyrën se si bankat ofrojnë sigurimet e lidhura me kreditë, ka zbuluar një sërë praktikash problematike që ndikojnë drejtpërdrejt te konsumatorët.
Sipas dokumenteve të konsultuara nga skyweb.al, është konstatuar se në momentin e dhënies së kredisë, klientët shpesh orientoheshin drejt policave të caktuara sigurimi, zakonisht me kosto më të lartë. Ndërkohë, bankat përfitonin komisione nga kompanitë e sigurimit, pa reflektuar këto përfitime në uljen e kostos për kredimarrësit.
Në përfundim të hetimit, Komisioni ka vendosur një detyrim për të gjitha bankat që operojnë në treg: klientëve duhet t’u paraqitet një listë e plotë e kompanive të sigurimit dhe primeve përkatëse, në mënyrë që zgjedhja të jetë reale dhe e informuar. Sipas autoritetit, kjo masë synon të ndalojë orientimin e klientëve drejt siguruesve të caktuar dhe të rikthejë konkurrencën e ndershme në treg.
Megjithatë, hetimi ka nxjerrë në pah edhe shkelje të rënda konkrete, ku në fokus është Intesa Sanpaolo Bank Albania.
Sipas gjetjeve të Komisionit, banka ka operuar në tregun e sigurimit të jetës pa qenë e licencuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare si agjent apo broker sigurimesh. Në dokument theksohet se Intesa Sanpaolo “nuk zotëron as licencë brokeri dhe as licencë agjenti”, çka e përjashton ligjërisht nga e drejta për të ndërmjetësuar ose për të përfituar komisione nga policat e sigurimit.
Pavarësisht kësaj, banka ka pasur marrëveshje bashkëpunimi me katër shoqëritë e sigurimit të jetës në treg dhe ka qenë aktive në ndërmjetësimin e këtyre produkteve.
Komisioni vëren gjithashtu se struktura e policave të sigurimit të jetës në këtë bankë është e përqendruar në mënyrë të pazakontë, ku mbi 70% e tyre rezultojnë të lidhura me vetëm një kompani sigurimi. Sipas autoritetit, kjo “nuk pasqyron përqindjet reale të tregut”, duke ngritur dyshime se zgjedhja nuk është bërë nga klientët në mënyrë të lirë, por është ndikuar nga vetë banka.
Hetimi ka zbuluar gjithashtu komunikime dhe koordinim të drejtpërdrejtë mes bankës dhe kompanive të sigurimit, duke rrëzuar pretendimet se institucioni financiar nuk ndërhyn në procesin e përzgjedhjes së policave.
Një tjetër gjetje e rëndësishme lidhet me përfitimet financiare. Banka ka aplikuar një tarifë të quajtur “Komision për administrimin e llogarisë së primeve”, e cila sipas Komisionit në praktikë funksionon njësoj si komisionet e ndërmjetësimit të brokerëve të licencuar. Kjo praktikë konsiderohet si ushtrim i aktivitetit të ndërmjetësimit pa licencë dhe si deformim i konkurrencës në treg.
Komisioni paralajmëron se kjo sjellje krijon një avantazh të padrejtë ndaj bankave të tjera që respektojnë rregullat dhe mund të përhapet në të gjithë sistemin bankar nëse nuk ndërhyhet në kohë.
Në vendimin përfundimtar, Intesa Sanpaolo Bank detyrohet të ndalojë menjëherë aplikimin e këtyre komisioneve dhe të shfuqizojë marrëveshjet me kompanitë e sigurimit për sa kohë nuk është e licencuar si agjent ose broker.
Edhe pse hetimi nuk ka përfunduar me vendosje gjobash, ai nxjerr në pah një problem të gjerë në tregun bankar dhe të sigurimeve, ku ndërthurja e produkteve financiare krijon hapësira për fitime të fshehura dhe kufizim të zgjedhjes së konsumatorit.
Komisioni i Konkurrencës thekson se vendimi synon të vendosë standarde më të larta transparence dhe të garantojë një treg më të drejtë dhe më konkurrues për klientët./skyweb.al



