IMG_9914

Emisioni “Në Shënjestër” i gazetares Klodiana Lala ka zbardhur detaje mbi projektin “Durrës Marina” dhe marrëveshjen mes qeverisë shqiptare dhe biznesmenit arab Mohamed Alabbar, duke ngritur pikëpyetje mbi mënyrën e zhvillimit të projektit dhe menaxhimin e Portit të Durrësit.
Sipas investigimit, historia nis më 29 nëntor 2020, kur ndërtesa më e lartë në botë, Burj Khalifa, u ndriçua me ngjyrat kuqezi. Videoja u shpërnda edhe nga kryeministri Edi Rama, i cili falënderoi kompaninë Emaar Properties dhe Mohamed Alabbar për gjestin ndaj Shqipërisë.

Investigimi thekson se, pak kohë më vonë, Alabbar u përfshi në projektin për ndërtimin e banesave për të prekurit nga tërmeti në zonën e Spitallës, ndërsa më pas u prezantua projekti “Durrës Marina”, i cili parashikon transformimin e Portit të Durrësit në një marinë turistike dhe rezidenciale.
Më 10 gusht 2022, qeveria shqiptare firmosi marrëveshjen e bashkëpunimit me kompaninë Eagle Hills për projektin “Durrës Marina”. Sipas emisionit, negociatat për projektin kishin nisur më herët dhe kishin përfshirë takime të nivelit të lartë mes përfaqësuesve të qeverisë dhe investitorëve arabë.

Në janar 2023 u krijua shoqëria “Durrës Marina”, ku 67% e aksioneve zotërohen nga kompania e Alabbar dhe 33% nga kompania shtetërore “Albanian Seaports Development Company”, në pronësi të Autoritetit Portual Durrës.

Sipas të dhënave të publikuara në investigim, kapitali fillestar i shoqërisë ishte rreth 35 mijë euro, ndërsa më pas kapitali u rrit në disa faza deri në rreth 13 milionë euro. Emisioni pretendon se fondet e injektuara në projekt kanë ardhur kryesisht nga parapagimet e qytetarëve për apartamentet e shitura në projektin “Durrës Marina”. Referuar bilanceve të dorëzuara në QKB për vitet 2023 dhe 2024, kompania rezulton të ketë arkëtuar rreth 66 milionë euro nga shitja e apartamenteve, ndërkohë që asnjë prej tyre nuk është dorëzuar ende te klientët.

Në investigim thuhet gjithashtu se investimi real i kryer deri në fund të vitit 2024 llogaritet rreth 35-43 milionë euro, ndërsa pjesa tjetër e fondeve mbetet e lidhur me parapagimet e klientëve dhe kostot operative të projektit.

Emisioni “Në Shënjestër” sjell edhe debatet ligjore që kanë shoqëruar marrëveshjen, përfshirë shqyrtimin në Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë. Dy anëtarë të gjykatës, sipas investigimit, kanë shprehur mendime pjesërisht kundër, duke argumentuar se disa elementë të marrëveshjes bien ndesh me Kushtetutën dhe procedurat parlamentare. Investigimi ngre pikëpyetje edhe mbi përjashtimin nga disa taksa dhe kontribute publike, si dhe mbi vlerën e pronës shtetërore të vënë në dispozicion të projektit.

Sipas emisionit, deri më tani përfituesi kryesor i projektit rezulton të jetë biznesmeni Mohamed Alabbar, ndërsa mbetet e paqartë afati real i përfundimit të plotë të investimit dhe dorëzimit të apartamenteve te qytetarët që kanë investuar në projektin “Durrës Marina”.