-640-0-tirana-1779127329

Intervistë me Doris Andoni, Konsulente e pavarur / Eksperte mbi çështjet e strehimit

Zhvillimi i paqëndrueshëm i sektorit rezidencial, i përqendruar në qendrat urbane dhe i orientuar drejt fitimit afatshkurtër, ka sjellë polarizim të thellë social, sidomos në kryeqytet, por tashmë edhe në zonat bregdetare.

Doris Andoni, njohëse mjaft e mirë e politikave të strehimit me një karrierë të gjatë në këtë sektor dhe sot konsulente e pavarur për institucione ndërkombëtare, thekson se ndërtime të shumta po çojnë në largimin e shtresës së mesme dhe të varfër, duke i dëbuar ata nga zonat më të zhvilluara dhe duke krijuar një hapësirë urbane të përjashtuar nga ata që e bëjnë qytetin të funksionojë çdo ditë.

Znj. Andoni shton se ky zhvillim ka ndikime të dëmshme në cilësinë e jetës dhe rrit ndarjen sociale, me një sistem strehimi që bëhet gjithnjë e më i papërballueshëm. Ajo thekson se politika e strehimit duhet të përfshijë një përzierje më të mirë sociale, ku ndihma për ata që nuk mund ta përballojnë tregun duhet të shkojë përtej thjesht ndihmave sociale.

Për më tepër, ajo vë në dukje se turizmi dhe investimet e përqendruara në qira afatshkurtër po shtojnë presionin mbi qytetarët, duke e bërë edhe më të vështirë për ata me të ardhura të ulëta të gjejnë një vend të qëndrueshëm për të jetuar.

Sipas saj, për të zgjidhur këto probleme, shteti duhet të përdorë instrumentet ligjore për të mbështetur politikën e strehimit social dhe urbanistik, duke siguruar zhvillim të qëndrueshëm dhe më të barabartë për të gjithë.

Në thelb, diskutimi ngre një çështje më të gjerë: a po humbasin qytetet shqiptare funksionin e tyre si hapësira për të jetuar, duke u kthyer në asete financiare? Dhe çfarë roli duhet të luajë shteti për të rikthyer balancat në një treg gjithnjë e më të përqendruar?

Çfarë ju bën përshtypje sot nga mënyra sesi po funksionon tregu i strehimit në vend?

Strehimi nuk është thjesht një çështje ekonomike — është pasqyra e shoqërisë, fytyra e sistemit ekonomik dhe social në të cilin jetojmë. Mënyra sesi ndahet hapësira urbane, kush banon ku dhe në çfarë kushtesh, tregon më shumë për një shoqëri sesa çdo statistikë tjetër.

Dhe ajo që shohim sot në Shqipëri është shqetësuese. Zhvillimi i sektorit rezidencial është thellësisht i pabalancuar — i paplanifikuar, i përqendruar në qendër dhe brenda Unazës së Dytë, i orientuar ekskluzivisht drejt fitimit të menjëhershëm.

Investimet bëhen spontanisht, pa vizion urban, duke gëlltitur hapësirat e gjelbra dhe ato rekreative që janë jetike për cilësinë e jetës, duke mbingarkuar infrastrukturën, trafikun dhe çdo shërbim publik. Dhe mbi të gjitha, duke krijuar një sistem strehimi plotësisht të papërballueshëm për shtresat e varfra dhe të mesme.

Por ky zhvillim i pabalancuar nuk është vetëm pasojë e polarizimit social — është edhe shkak i tij. Kur qyteti ndërtohet vetëm për ata që kanë, dhe jo për ata që punojnë, polarizimi thellohet. Formohet një qark vicioz: pasuria përqendrohet, hapësira urbane komercializohet, shtresat e mesme dëbohen, dhe qyteti humbet karakterin e tij si hapësirë e përbashkët.

Është një zhvillim përjashtues për ata që punojnë me ndershmëri dhe varen nga një pagë mujore — dhe kjo, në fund të fundit, është çështje drejtësie sociale.

Ju e keni ndjekur çështjen e strehimit për shumë vite. Çfarë ka ndryshuar nga një dekadë në tjetrën? A vëreni thellim të hendekut social, ku qendra u takon vetëm të pasurve?

Ndërtimet që po realizohen në qendër të Tiranës po eliminojnë jo vetëm shtresat me të ardhura të ulëta, por edhe shtresën e mesme. Këto shtresa po dëbohen nga qyteti, dhe ky është një nga dëmet më të mëdha që po i bëhet jetës urbane, duke krijuar përqendrim të vetëm një kategorie të caktuar.

Për momentin, kjo mund të mos jetë e dukshme, por do të bëhet e qartë kur të përfundojnë ndërtimet dhe të banohen, ose kur të mos banohen, sepse ka shumë mundësi që një pjesë e madhe të mbeten të pashitura ose të kthehen në Airbnb, me karakter thjesht sezonal.

Kjo e dëmton ndjeshëm cilësinë e jetës në qytet – dhe është një nga çështjet që sot diskutohet gjerësisht në të gjitha rrethet profesionale: ndërtimet e larta dhe fasadat e ndritura nuk bëjnë qytet; qyteti bëhet nga njerëzit që e banojnë dhe e jetojnë atë.

Këtu hyn koncepti i së drejtës për qytetin – “the right to the city” – një ide e formuluar nga filozofi dhe sociologu francez Henri Lefebvre në vitet ‘60 dhe sot e pranuar gjerësisht në urbanistikën dhe politikën sociale ndërkombëtare.

Nuk bëhet fjalë thjesht për të drejtën fizike për të jetuar në qytet, por për të drejtën e çdo qytetari, pavarësisht të ardhurave, për të përfituar nga mundësitë, shërbimet dhe hapësirat që ofron jeta urbane.

Qyteti është produkt kolektiv i punës dhe kontributit të të gjithëve: nga punëtori i ndërtimit te mësuesi, nga infermierja te shoferi i autobusit. Ndaj edhe frytet e tij duhet të jenë të arritshme për të gjithë, jo vetëm për ata që mund të përballojnë apartamente luksoze.

Kur qyteti shndërrohet në mall, kur hapësirat e tij shiten sipas ligjeve të tregut pa asnjë korrektiv social, e drejta për qytetin shkelet sistematikisht.

Pikërisht për këtë është e domosdoshme ajo që kemi përfshirë në ligjin e strehimit: parashikimi që 3% e sipërfaqes së ndërtimit t’i dhurohet Bashkisë për banesë sociale. Zakonisht imagjinohet se në këto banesa do të shkojnë njerëzit më të varfër dhe se nuk mund të bashkëjetojnë me blerësit e njësive të tjera.

Por kjo është pikërisht mënyra për të arritur një përzierje më të mirë sociale dhe për të ngritur nivelin e atyre pa mundësi, gjithmonë duke i mbajtur këto banesa në pronësi të bashkisë dhe jo duke i shitur, sepse shitja i bën subjekt të problematikave të tjera.

Pra, qyteti duhet të zhvillohet domosdoshmërisht për të gjitha shtresat.

Çdo administrator lokal duhet ta ketë shumë të qartë strukturën sociale të qytetit të tij: shtresëzimin sipas karakteristikave sociale, ekonomike dhe shëndetësore, siç i parashikon edhe ligji i strehimit. Duhet të dijë sa janë këto familje dhe çfarë mundësish kanë, dhe në momentin e dhënies së lejes së ndërtimit, edhe bashkitë vetë duhet të jenë shumë më të vetëdijshme për këtë realitet.

Por kjo ka nisur të bëhet e vështirë, sepse lejet nuk jepen më nga bashkitë, por në nivel qendror dhe kjo, mendoj, është një nga dëmet e mëdha të shkaktuara, pavarësisht faktit se problemi i korrupsionit shërbeu si justifikim për të ndryshuar kompetencat.

Duke tentuar ta korrigjojmë atë problem, kemi shkëputur lidhjen direkte të bashkisë me zhvillimin urban, ndërkohë që është pikërisht bashkia ajo që ka lidhjen më të ngushtë me komunitetin, ka më shumë të dhëna dhe mban përgjegjësi më të madhe ndaj tij, sepse zgjidhet drejtpërdrejt nga ai komunitet.

Turizmi po ndikon në dy drejtime: të huajt po blejnë si banesë të dytë ose për t’u zhvendosur këtu, dhe shqiptarët po blejnë si investim për qira afatshkurtër. Si ndikon kjo në barrën mbi qytetarët?

Ndodh shpesh që objektet marrin leje ndërtimi si banesa, por në fund nuk funksionojnë si të tilla, sepse një pjesë e tyre jepet me qira afatshkurtër. Megjithatë, ato numërohen si banesa nga INSTAT-i. Kur studiojmë situatën nga pikëpamja statistikore dhe pyesim nëse ka mjaftueshëm banesa në treg, llogarisim numrin e banesave për 1,000 banorë dhe me ato shifra mund të arrijmë në përfundimin se jemi mirë.

Sipas Censit të vitit 2023, Shqipëria del nën mesataren e BE-së: Bashkimi Europian ka mesatarisht 517 banesa për 1,000 banorë, ndërsa Shqipëria ka 470 – një tregues që flet se pavarësisht volumit të madh të ndërtimeve, ka ende hapësirë për zgjerim (edhe pse shifrat janë dinamike dhe nga viti 2023, ndërsa volumi i ndërtimeve është rritur, numri i popullsisë ka rënë).

Por problemi më i madh është deformimi i grafikut të shpërndarjes: sa peshon ana e atyre që kanë më shumë se dy ose tre banesa. Kur një numër i madh banesash është në duart e një grupi të vogël dhe përdoren si investim e jo nga ata që kanë vërtet nevojë për strehim, situata e familjeve pa akses në tregun e banesave përkeqësohet ndjeshëm.

Fenomeni ka disa shtresa: lidhet me mungesën e politikave fiskale që do të dekurajojnë grumbullimin e banesave si aktiv financiar; lidhet me mungesën e një regjistri të saktë të funksionit real të banesave; dhe lidhet edhe me dhënien e lejeve, pasi leja jepet për banesë, por objekti në fund nuk shërben si i tillë.

Megjithatë, statistikisht numërohet si banesë dhe për një politikëbërës që nuk është i fokusuar te strehimi, shifrat mund të duken në rregull, pa nevojë për politika të reja. Ndërkohë ne e dimë mirë se rreth 33% e stokut të banesave sipas INSTAT-it është bosh, sepse zotërohet nga emigrantët, ose shërben si banesë e dytë dhe e tretë, apo për përdorim sezonal. Kjo ndihet sidomos në zonat turistike.

E kam hasur shpesh gjatë punës sime: qytetarë që kërkonin banesë sociale me qira nga bashkia, sepse gjatë dimrit gjendej lehtë, por me ardhjen e verës, pronarët i nxirrnin jashtë.

Çështja e strehimit duhet parë në të gjitha dimensionet e saj sociale. Nuk është thjesht çështje ekonomike: nëse po investohet në sektorin rezidencial dhe po gjenerohen të ardhura nga ndërtimi, atëherë një pjesë e tyre duhet t’u dedikohet atyre që nuk kanë mundësi ta aksesojnë tregun.

A po e humbasin “shpirtin” këto qytete që po zgjerohen me vrull dhe po largojnë banorët autoktonë?

Padyshim që po. Genius loci – shpirti i vendit – nuk krijohet nga godinat, por nga njerëzit që e banojnë atë dhe komunitetet që janë banorë tradicionalë të zonave. Kur shkon në një lagje tradicionale të Tiranës, sheh njerëz që e kanë ruajtur dhe mbrojtur zonën e tyre, banorë që përbëjnë një komunitet dhe bashkëveprojnë me njëri-tjetrin.

Natyrisht, nuk mund të pretendojmë më këto lloj ndërveprimesh në kontekstin e sotëm të konglomeratit urban, për shkak të migracionit të brendshëm, por kjo nuk do të thotë se nuk duhet ta çmojmë dhe ta mbrojmë atje ku ekziston ende dhe ta mbështesim për ta krijuar aty ku nuk ekziston.

A mendoni se kjo situatë është një nga arsyet pse pjesa e shtresës së mesme zgjedh të emigrojë — edhe për shkak të cilësisë së jetesës dhe pamundësisë për të pasur një banesë?

Cilësia e jetesës matet me shumë elemente të ndërthurura: kushtet e banimit, shërbimet e ofruara, mundësitë. Nga një hulumtim i një organizate jofitimprurëse rreth vitit 2016, kur nisi vala e madhe e emigracionit drejt Gjermanisë, ndër arsyet e emigrimit ishte edhe strehimi: pamundësia për të blerë banesë. Por e papërballueshme nuk është bërë vetëm blerja, por është bërë edhe qiraja.

Problemi i çmimeve dhe i qirave është shumë më kompleks dhe nuk është efekt i thjeshtë i kërkesë-ofertës.

Roli i parasë informale në financimin e sektorit rezidencial është një hipotezë serioze që qarkullon prej kohësh në rrethet profesionale dhe akademike dhe mungesa e të dhënave publike për ta konfirmuar ose për ta hedhur poshtë nuk e dobëson, por përkundrazi e forcon shqetësimin. Një treg ku origjina e kapitalit mbetet e paqartë është një treg i padiagnostikueshëm dhe i pareformueshëm.

Cilat janë shtresat që po vuajnë më shumë nga kjo situatë?

E shoh të gjithë këtë situatë shumë depresuese, në mënyrë të veçantë për të rinjtë, sepse nuk është një mjedis që i nxit të krijojnë familje dhe të shikojnë me optimizëm drejt së ardhmes. Strehimi është padyshim një nga faktorët, por bëhet pjesë e një sistemi të tërë që funksionon kundër tyre: punësimi i pasigurt, pagat e ulëta, mungesa e perspektivës.

Aftësia përballuese matet me raportin pagë – çmim banese, dhe të dhënat tregojnë se ky raport është plotësisht i paarritshëm. Dhe nuk duhet të jetë kështu; të rinjtë janë pikërisht ata që kanë nevojë dhe janë në kulmin e potencialit të tyre produktiv. Largimi i tyre nuk është vetëm dramë personale; është humbje e madhe kolektive.

Sot të rinjtë nuk kanë të ardhura të mjaftueshme, ndaj është e domosdoshme që bashkitë të merren seriozisht me çështjen e strehimit. Unë nuk shoh lëvizje reale në këtë drejtim, përveç listave për kredi të lehtësuara, që i shërbejnë më shumë tregut, se sa zgjidhin problemin social.

Madje, me çmimet aktuale dhe kufirin maksimal të kreditimit, nuk arrin dot të mbulosh as gjysmën e vlerës së banesës dhe detyrohesh të shkosh në periferinë e largët. Dhe ajo që më shqetëson është se sot politikanët nuk duan ta pranojnë hapur: ata me të ardhura të ulëta po shtyhen gjithnjë e më larg qendrës, larg kushteve dhe shërbimeve bazë që duhet t’u garantohen të gjithëve si një e drejtë.

Ky largim krijon edhe ngërç në jetën e përditshme të qytetit, pasi janë krahë pune të nevojshme, por transporti dhe aksesi bëhen gjithnjë e më të vështirë?

Sot flitet shumë për “qytetin 15-minutësh” – një model urban që ka marrë vëmendje të madhe ndërkombëtare dhe që paraqet një vizion krejtësisht të ndryshëm nga ai që po ndërtojmë sot.

Koncepti, i zhvilluar ndër të tjera nga urbanisti dhe akademiku franko-kolumbian Carlos Moreno dhe i adoptuar si politikë zyrtare nga qytete si Parisi dhe Melburni, është i thjeshtë por i fuqishëm: çdo banor duhet të ketë gjithçka që i nevojitet për jetën e përditshme: punë, shkollë, shërbim shëndetësor, treg, hapësira rekreative brenda 15 minutave nga shtëpia e tij, qoftë në këmbë, qoftë me transport publik.

Qëllimi është të reduktohet varësia nga makina, të rritet cilësia e jetës, të forcohen komunitetet lokale dhe të ulet konsumi i energjisë e ndotja.

Norman Foster, një nga arkitektët më me ndikim në botë, ishte në një nga Sesionet që drejtoja në Komitetin e Strehimit dhe Menaxhimit të Tokës në Gjenevë dhe hartoi bashkë me studiues të tjerë një plan veprimi për qytetin e ardhshëm mbi bazën e këtij koncepti.

Është pikërisht e kundërta e asaj që po ndodh te ne: ku punëtorët e shërbimeve detyrohen të jetojnë gjithnjë e më larg punës, ku infrastruktura publike nuk mban ritmin me ndërtimin, dhe ku qyteti po shndërrohet në labirinth të mbingarkuar për ata me pak mundësi.

Çfarë mund të bëjë shteti sot për ta ngushtuar këtë diferencë sociale?

Shteti i ka të gjitha instrumentet ligjore, thjesht duhet t’i zbatojë. Ligji i strehimit social i parashikon: ndërtimin e banesave sociale, format e ndryshme të sigurimit të tyre, mekanizmat e financimit.

Shembulli i banesave sociale të Shkozës mund të ketë të mirat dhe problematikat e veta, por është pikënisje dhe problematikat duhen parë si mësime, jo si arsye për të braktisur qasjen. Zgjidhja e vërtetë është përzierja sociale: planifikimi i zonave të gjithëpërfshirëse ku bashkëjetojnë kategori të ndryshme, ku banesa sociale nuk është geto, por pjesë organike e qytetit.

Të ardhurat e gjeneruara nga ndërtimi duhet të rishpërndahen pjesërisht për ata që nuk mund ta aksesojnë tregun. Por kjo duhet të jetë e lidhur ngushtë me planifikimin urban: nuk mund të zhvillosh një zonë, pa zhvilluar njëkohësisht infrastrukturën e saj – kanalizimet, rrjetet elektrike, rrugët – dhe pa parashikuar rritjen e popullsisë.

Për Airbnb-të, duhet vendosur kufi i qartë që kur jepet leja e ndërtimit në numër të kufizuar dhe të kontrolluar, të regjistrohen si biznes, jo si banesa, dhe çdo ndryshim funksioni të deklarohet dhe të licencohet.

Por mbi të gjitha, duhet ndryshuar qasja. Strehimi nuk mund të trajtohet si çështje teknike apo statistikore. Është çështje e drejtësisë sociale dhe e modelit të shoqërisë që duam të ndërtojmë. Qyteti nuk u takon vetëm atyre që kanë mundësi ta blejnë – u takon të gjithë atyre që e ndërtojnë, e shërbejnë dhe e bëjnë të funksionojë çdo ditë.

Kjo është e drejta për qytetin dhe mbrojtja e saj duhet të jetë në qendër të çdo politike strehimi dhe planifikimi urban./Monitor