izraeli jet bank

Jet Bank po hyn në një fazë të re vëmendjeje publike, ndërsa të dhëna konkrete mbi strukturën e saj dhe mënyrën e operimit po ngrenë pikëpyetje serioze mbi transparencën dhe kontrollin real të institucionit.

Një element që ka shtuar dyshimet është vetë prania e bankës në rrjetet sociale.

Verifikimet tregojnë se administrimi i faqes zyrtare në Facebook nuk është i kufizuar në Shqipëri, por përfshin edhe përdorues që operojnë nga Izraeli.

Ky fakt, i verifikueshëm teknikisht, vendos në qendër të diskutimit jo thjesht komunikimin, por kontrollin e narrativës publike dhe menaxhimin e imazhit të bankës nga jashtë territorit shqiptar.

Izraelitët misteriozë hapin bankë në Shqipëri, biznesmeni i FOREX Idan Avishai konfirmohet pronari i Jet Bank në Shqipëri

Ky zhvillim përputhet me të dhënat mbi strukturën aksionare të bankës, e cila rezulton të jetë më komplekse nga sa prezantohet publikisht. Sipas dokumentacionit zyrtar, Jet Bank kontrollohet nga një shoqëri holding e regjistruar në Hollandë, Jet Holdings, ndërsa aksionarët e saj përfshijnë kompani të regjistruara në Qipro dhe Izrael.

Aksionari kryesor është shoqëria qipriote Constador LTD, e cila kontrollohet nga shtetasi izraelito-britanik Idan Avishai, i identifikuar si investitori kryesor dhe përfituesi real i strukturës.

Në të njëjtën kohë, një pjesë e kompanive aksionare të regjistruara në Izrael nuk kanë transparencë mbi pronarët e tyre për shkak të strukturës së shpërndarë të aksioneve dhe kufijve ligjorë të deklarimit.

Kjo krijon një situatë ku kontrolli formal ekziston, por gjurmimi i plotë i zinxhirit të pronësisë dhe ndikimit bëhet i vështirë, duke lënë hapësira për paqartësi mbi vendimmarrjen reale.

MISTERI – Hijet e mashtrimeve online në bankat shqiptare/ Izraelitët në lojë, Jet Bank në Shqipëri me pronar biznesmenin e FOREX Idan Avishai

Figura kyçe që qëndron pas kësaj strukture, Idan Avishai, rezulton i lidhur me sektorin e platformave të tregtimit online, veçanërisht me rrjete si Fortrade, ku përfshihen edhe drejtues të tjerë të lidhur me Jet Holdings.

Këto platforma operojnë në tregje ndërkombëtare dhe ofrojnë produkte financiare me rrezik të lartë, si kontratat CFD, të cilat në shumë vende janë objekt kufizimesh për investitorët individualë. Edhe pse aktiviteti i tyre mund të jetë ligjërisht i lejuar, vetë natyra e këtyre instrumenteve dhe historiku i industrisë i vendosin këto subjekte në një zonë gri përsa i përket reputacionit dhe besueshmërisë.

Në këtë kontekst, fakti që një bankë e re në Shqipëri lidhet me një rrjet të tillë biznesesh shton ndjeshëm ndjeshmërinë e rastit. Kjo bëhet edhe më e rëndësishme duke pasur parasysh se Jet Bank ka marrë miratimin paraprak nga Banka e Shqipërisë për të operuar si bankë dixhitale, një sektor që kërkon standarde të larta sigurie dhe transparence, rsporton Gazeta Jonë.

Megjithatë, procesi i licencimit nuk ka kaluar pa tensione, pasi sipas burimeve të tregut ka pasur rezerva brenda strukturave të mbikëqyrjes, deri në dorëheqjen e një drejtuesi që nuk ka firmosur propozimin për dhënien e licencës.

Në sfond të kësaj situate, qarkullojnë edhe pretendime për ndikim politik në procesin e licencimit, të cilat mbeten të pakonfirmuara zyrtarisht, por që shtojnë më tej perceptimin e mungesës së transparencës.

Në një treg ku stabiliteti dhe besimi janë elementë kritikë, çdo dyshim mbi mënyrën se si jepet një licencë bankare ka peshë të konsiderueshme.

Kombinimi i pronësisë së shpërndarë në disa juridiksione, lidhjeve me kompani izraelite, përfshirjes së figurave me histori në sektorë me rrezik të lartë financiar dhe menaxhimit të komunikimit nga jashtë vendit, krijon një tablo që shkon përtej një strukture të zakonshme bankare.

Nuk bëhet fjalë për origjinën e kapitalit, por për mungesën e qartësisë mbi kontrollin dhe përgjegjësinë reale.

Në këtë situatë, heshtja e bankës për të dhënë sqarime të plota dhe të detajuara mbi këto elementë nuk ndihmon në uljen e tensionit publik. Përkundrazi, ajo e thellon më tej perceptimin se ekzistojnë zona të paqartësisë që nuk janë adresuar. Në një sektor ku besimi i klientëve është themeli i funksionimit, çdo mungesë transparence përkthehet drejtpërdrejt në rrezik reputacional.

Rasti i Jet Bank po shndërrohet kështu në një test të rëndësishëm për standardet e transparencës, mbikëqyrjes dhe përgjegjshmërisë në sistemin financiar shqiptar. Pyetja që mbetet pa përgjigje është thelbësore: kush e kontrollon realisht bankën dhe ku merret vendimmarrja përfundimtare? /gazetajonë