-640-0-rama-spiropali-1772145848

Deputetja, Elisa Spiropali, duket se nuk po gjen qetësi që kur u largua nga posti i ministres së Jashtme dhe nisi përplasjen në PS me Belinda Balluku dhe kryeministrin Edi Rama. Ditën e sotme Spiropali ishte protagoniste me një reagim tjetër në rrjetet sociale ku, ndër të tjera, denonconte se institucionet e shtetit po i bëjnë presione.

Sipas saj, tashmë bëhet fjalë për një sistem ku institucionet nuk funksionojnë më si hapësira vendimmarrjeje, por si instrumente presioni; ku vendimet nuk ndërtohen bashkërisht, por imponohen në mënyrë selektive; ku ligji nuk qëndron mbi të gjithë, por lakohet sipas nevojës së momentit.

Spiropali shkon edhe më tej, duke lënë të kuptohet se struktura shtetërore, shpesh të emëruara dhe promovuara nga e njëjta dorë, të shoqëruara nga portale të financuara me para të errëta, mund të përdoren si mekanizma presioni, deri edhe për të goditur familjarë të personave që mbajnë poste publike.

Megjithatë, shqetësimi i ish-ministres së Jashtme duket se ka lidhje dhe me bizneset e familjes së saj.

VNA mëson se në disa prej këtyre bizneseve janë kryer verifikime nga administrata tatimore, çka duket se ka nxitur reagimin e fortë publik të Spiropalit. Nuk bëhet ende e ditur se për cilat subjekte bëhet fjalë, por VNA sjell një panoramë mbi bizneset e familjarëve të Spiropalit.

Bashkëshorti i saj, Salarjon Totaj, rezulton të jetë pronar i një kompanie që operon në ndërmjetësimin e shit-blerjeve të pronave, përfaqësim tregtar dhe konsulencë investimesh.

Ndërkohë, vëllai i saj, Enkli Spiropali, është pronar i subjektit “Best Taxi”, që ofron shërbime taksie, por edhe shitje dhe dhënie me qira të automjeteve. Po ashtu, ai zotëron edhe një tjetër subjekt që operon në fushën e komisionerisë dhe ndërmjetësimit, një aktivitet që lidh palë të interesuara për transaksione të ndryshme, duke siguruar përfitime përmes përqindjeve.

Këto janë vetëm disa nga bizneset që, të paktën zyrtarisht, figurojnë ende në pronësi të familjarëve të ngushtë të ish-zyrtares së lartë. Por historia e bizneseve nuk mbaron këtu.
Kujtojmë se më herët, Enkli Spiropali ka qenë pronar i kompanisë “Solomon Construction”, e themeluar në Fier në gusht të vitit 2013, me aktivitet në import-eksport dhe tregti artikujsh industrialë. Në prill 2015, ai ia shet këtë kompani Marjus Memushajt, kushërit të Salarjon Totajt, bashkëshortit të deputetes së PS.

Më pas, kompania përfundon në duart e kunatave të Spiropalit, Blerina dhe Luranda Totaj. Në tetor 2021, Memushaj ia shet “Solomon Construction” kompanisë “Fortes Construction”, e cila rezulton gjithashtu e lidhur me familjen Totaj dhe është në pronësi të po të njëjtave kunata.

“Fortes Construction”, e themeluar në vitin 2015 dhe me seli në Tiranë, operon kryesisht si nënkontraktore në projekte që përfitojnë fonde dhe koncesione publike, duke qarkulluar çdo vit shifra të konsiderueshme.

Në këtë rrjet aktivitetesh përfshihet edhe kompania “BIOFOOD’S”, e cila ka qenë në pronësi të vjehrrit të Spiropalit, Luan Totaj, e cila operon në fushën e import-eksportit dhe tregtimit të produkteve ushqimore dhe industriale në zonën e Frakullës së Madhe. Tre vite pas themelimit, kjo kompani është shitur për 20 mijë euro shtetasit Beqir Ahmeti.

Në këtë panoramë të ndërthurur biznesesh dhe lidhjesh familjare, me gjasë tatimet mund të kenë gjetur ndonjë parregullsi që kanë sjell zemërimin e Spiropalit. Ish-ministres e cila kohët e fundit i duhet të përballet me hakmarrjen e pushtetit që deri para disa javësh i shërbente me përkushtim dhe lavdëronte deri në përulje.