IMG_0149

Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka dorëzuar zyrtarisht në Kuvend një kërkesë për interpelancë me Zëvendëskryeministren e vendit, Albana Koçiu. Pas shumë përballjesh e qëndrimeve të forta publike që socialisti ka mbajtur kohët e fundit, këtë herë në shënjestrën e tij të drejtpërdrejtë është vënë numri dy i qeverisë.

Braçe kërkon llogari mbi statusin aktual të procesit të legalizimit të ndërtimeve informale në territorin e Bashkisë Tiranë. Më konkretisht, kërkesa fokusohet në Njësinë Administrative nr. 5 dhe posaçërisht në zonat kadastrale të Selitës, të ndara poshtë dhe sipër Unazës së Re të Tiranës. Deputeti kërkon sqarime të prera për këtë ngërç që prek qindra banorë.

Kërkesa zyrtare e depozituar në Kuvend:

“Kërkoj zhvillimin e një interpelance me Zëvendëskryeministrin e Republikës së Shqipërisë, znj. Albana Koçiu, lidhur me statusin aktual të procesit të legalizimit të ndërtimeve informale në territorin e Bashkisë Tiranë…”

Ky hap i radhës i Braçes nuk shihet thjesht si një betejë administrative brenda llojit, pasi ai ka thirrur me radhë ministra të ndryshëm, një pjesë e kanë pranuar e të tjerë e kanë refuzuar. Lëvizja merr një peshë të rëndësishme politike po të kujtohet në kuadrin e ambicies së shprehur hapur prej tij për të kandiduar në të ardhmen për kreun e Bashkisë së Tiranës.

Duke zgjedhur të godasë pikërisht në një nga zonat më sensitive të kryeqytetit (Njësia 5 dhe Selita) dhe duke kërkuar llogari nga kabineti qeveritar, Braçe duket se po pozicionohet qartë si mbrojtës i interesave të qytetarëve të Tiranës, duke rritur presionin e brendshëm politik dhe duke dërguar sinjale të qarta për sfidat e ardhshme elektorale brenda dhe jashtë mazhorancës.