-900-0-1779609807xedi-rama-7-1024x611-738

Kryeministri Edi Rama ka komentuar zhvillimet më të fundit të javës, mes të cilave miratimin e raportit IBAR. Rama deklaroi se Konferenca Ndërqeveritare është vulosja me sukses e fazës hapëse të negociatave. Kreu i qeverisë në podcastin e tij flasim nuk ndali ironinë për opozitën, ku u shpreh se ballafaqimi mori kohën e vet, ndërkohë që “molotovarët e Tiranës” përhapnin negativitet, digjnin kryeqytetin përmes protestave të tyre, dhe përpiqeshin të dëmtonin imazhin e vendit në arenën ndërkombëtare.

Edi Rama: Në fakt, për ta zhgarravitur Shqipërinë në sytë e partnerëve tanë, kudo ku ishte e mundur, mblidhu e hidhu lart e poshtë për të kërkuar ndëshkim, bllokim, izolim për Shqipërinë, duke lënë kokrrën e namit si asnjë opozitë tjetër në historinë e integrimeve europiane të vendeve që sot janë pjesë e Bashkimit Europian apo synojnë të bashkohen me të. Thanë se rruga europiane ishte e bllokuar, thanë se Shqipëria ishte më në fund e ndëshkuar, thanë se qeveria jonë ishte krejt e izoluar. U gënjyen, u gënjyen, se gjithnjë nga ajo mendja e tyre e cekët dhe e mbrapshtë dhe, në fund, në fund, humbën me turp dhe Shqipëria fitoi përsëri me mund, me dinjitet dhe me krenari. Kështu, më 26 maj, në Bruksel, Konferenca Ndërqeveritare Shqipëri – Bashkimi Europian vulos përmbylljen me sukses të fazës hyrëse dhe hap fazën përfundimtare të negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Kemi ngjitur një tjetër lartësi të vështirë drejt majës, ku do të arrijmë me çdo kusht brenda kësaj dekade dhe ku do të vendosim flamurin e Skënderbeut dhe të Ismail Qemalit aty, në oborrin e shtëpisë së madhe të Europës së Bashkuar.

Kryeministri komentoi gjithashtu Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor, nga i cili tha se Shqipëria do të përfitojë një fond shtesë prej 49 milionë eurosh. Sipas tij, kjo e çon mbështetjen totale financiare të përfituar nga vendi në 212 milionë euro, duke e renditur Shqipërinë ndër përfitueset kryesore në rajon.

Edi Rama: Tjetër mbështetje financiare e Bashkimit Europian ka ardhur nga Brukseli, ndërsa është vendosur çelja e fazës përmbyllëse të negociatave, është njëkohësisht vijuar edhe me çeljen e një tjetër fondi për Shqipërinë në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor. 49 milionë euro, të cilat e çojnë mbështetjen deri këtu në 212 milionë euro, ose shifra më e lartë e përftuar nga vendet e rajonit prej Planit të Rritjes. 

Konferenca Ndërqeveritare do të zhvillohet më 26 maj, në orën 19:00. Në takim pritet të konfirmohet përmbushja e kritereve të ndërmjetme nga pala shqiptare, si edhe të vendosen objektivat përmbyllëse për grupkapitullin “Bazat”. Në këtë paketë përfshihen funksionimi i institucioneve demokratike, reforma në administratën publike, çështjet që lidhen me sistemin e drejtësisë dhe të drejtat themelore, si edhe siguria dhe liria.